
Levian Goga, shqiptari që u hodh në lumin Arachthos për të shpëtuar dy djemtë 12 dhe 14 vjeç, ka përmbushur premtimin e tij të dhimbshëm: ka bërë tatuazh portretet dhe emrat e Nisit dhe Spyros, dy fëmijëve që fatkeqësisht humbën jetën javën e kaluar.
I tronditur, por i vendosur ta mbajë të gjallë kujtimin e tyre, Goga kishte deklaruar menjëherë pas ngjarjes tragjike: “Do t’i bëj tatuazh potretet e tyre. Qofshin gjithmonë mbi mua, gjithmonë në zemrën time.”
Në një video të publikuar në TikTok, ai shfaq me krenari tatuazhin e realizuar në shpinë, ku shihet vetja e tij me krahë engjëlli, duke u përpjekur të shpëtojë dy fëmijët – edhe ata me krahë – teksa i tërheq drejt vetes. Poshtë secilit portret janë të shkruar emrat: Nisi dhe Spyros. Ky tatuazh shndërrohet në një kujtim të përjetshëm për dy engjëjt që ai nuk arriti dot t’i shpëtonte, por që tashmë do t’i mbajë përgjithmonë me vete.
Sakaq, qeveria greke i ka dhënë Ledianit dhe nënshtetësinë greke, i cili prej 20 vitesh tashmë jeton në Greqi.
Ai është shprehur mirënjohës ndaj këtij vendimi, ndërsa shton se nuk ishte kjo arsyeja qe ndërmori këtë veprim, por thjeshtë mendoi se në lumë mund të ishte fëmija e tij dhe se dontë që t’i shpëtonte sa më shpejt të mundej.
"Më informuan se më kishin dhënë shtetësinë greke. Ministri më telefonoi dje dhe më tha: 'Po të pres në zyrë të të përqafoj, të të përshëndes dhe të pi një kafe' dhe të më japë shtetësinë." Kur e pyetën nëse kishte ndonjë rëndësi për të marrja e shtetësisë, ai u përgjigj: "Jo, kam qenë në Greqi për 20 vjet me dokumente, pa dokumente. Erdha kur isha 17 vjeç dhe jam 41 vjeç. Greqia është vendi im i dytë, si mund t'ju them tani, të cilin e dua dhe nuk kam qenë askund, as në Itali. U rrita këtu, vitet më të mira të jetës sime.
Isha me dokumente dhe pa dokumente për 20 vjet. Nuk e bëra për shtetësi. Jam mirënjohës që do t'i japin të gjithë familjes kartat e identitetit, por mendova që në momentin që hyra se fëmija im ishte brenda. Doja ta nxirrja sa më shpejt të mundesha. Dhe i falënderoj të gjithë, e gjithë Greqia më ka telefonuar, ministrat, të gjithë ata që panë numrin tim më kanë telefonuar", është shprehur Ledian Goga./Versus.al







