Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka shpallur sot të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët e vogëlushes, të cilët e kanë quajtur këtë vendim “të padrejtë dhe zhgënjyes”.
Prokuroria kishte kërkuar nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin prej të pandehurve, duke argumentuar se mungesa e masave të sigurisë në plazhet publike kishte krijuar kushtet që çuan në vdekjen tragjike të Jonadës. Por trupa gjykuese i rrëzoi të gjitha akuzat dhe shpalli të pafajshëm të gjithë efektivët.
Në sallën e gjyqit foli edhe gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, i cili tha se drejtësia nuk i mori parasysh faktet dhe provat që ai paraqiti gjatë procesit. “Kjo është një goditje e dytë për familjen tonë. Nuk pati drejtësi për Jonadën,” u shpreh ai mes lotëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht 2022, kur 7-vjeçarja Jonada Avdiaj po lahej në breg të detit bashkë me babain e saj, kur u përplas për vdekje nga një skaf i drejtuar nga polici Arjan Tase.
Ndërkohë, në një proces të veçuar, Gjykata dënoi autorin e ngjarjes, Arjan Tase, me 12 vite burg për veprën penale “vrasje me dashje”, pasi përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Me këtë vendim, procesi penal që zgjati afro tre vite përfundoi me dënimin vetëm të autorit të drejtpërdrejtë, ndërsa institucionet përgjegjëse për sigurinë në plazh nuk mbajtën asnjë përgjegjësi ligjore./Versus.al/







