Vogëlushja e mbijetuar nga zjarri që përfshiu një banesë në Maliq, ku humbën jetën nëna dhe djali 14 vjeçar është ende në betejë për jetën.
Sipas të dhënave deri më tani, vajza është nisur me urgjencë drejt Tiranës, për trajtim të specializuar në pavionin e djegieve në QSUT. Burime nga spitali rajonal bëjnë të ditur se gjendja e saj është shumë e rëndë, për shkak të djegieve të shumta në trup.
Ndërkohë nëna, Merjeme Azizllari, dhe djali i madh, 14‑vjeçari L. Azizllari, janë viktima tragjike të ngjarjes. Fqinjët rrëfejnë se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike: babai punonte, nëna kujdesej për dy fëmijët me spektrin autik. "Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët… të dy fëmijët ishin autikë," thotë një fqinjë.
Sipas dëshmisë së fqinjëve, zjarri dyshohet të jetë nisur nga një dyshek sfungjeri, ku fëmijët luanin. "Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë… Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin," tha fqinja Benereta Pashollari.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të Maliqit. Fillimisht u raportua se nëna dhe të dy fëmijët ishin të plagosur, por më pas u mësua se nëna kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë, ndërsa djali 14‑vjeçar ndërroi jetë më vonë në spital.
Autoritetet e Policia e Shtetit dhe zjarrfikësit ishin në vendngjarje dhe hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokuroria e Korçës për të sqaruar rrethanat e tragjedisë dhe për të përcaktuar shkakun e zjarrit.







