Vjola Haxhia, bashkëshortja e 42-vjeçarit Keli Hoxha, i cili u vra me thikë në Kalanë e Beratit pak ditë më parë, ka rrëfyer versionin e saj për ngjarjen që tronditi opinionin publik. Ajo hedh poshtë kategorikisht pretendimet se konflikti nisi për një pagesë apo për një foto me kalin e autorit, Kristo Mema.
Në një mesazh dërguar gazetarit Blendi Fevziu, i cili e publikoi publikisht, gruaja e viktimës kërkon që e vërteta të dalë në dritë dhe që shteti të kujdeset për familjen e saj, sidomos për fëmijët që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë.
“Ne po vizitonim kalanë së bashku me familjen dhe nënën e bashkëshortit. Në qendër të kalasë pamë një kalë të lidhur. Vajza jonë 8-vjeçare, Sevia, i kërkoi babait t’i afrohej për ta prekur. Keli dhe vajza iu afruan kalit, në atë moment u shfaq i zoti i kafshës duke bërtitur që të mos e preknim, sepse kali acarohej. Bashkëshorti iu përgjigj se kishte jetuar në fshat dhe dinte si të sillej me një kalë,” – rrëfen ajo.
Më tej, Haxhia tregon se pas një debati të shkurtër, situata degjeneroi në tragjedi.
“Ai filloi ta ofendonte bashkëshortin tim me fjalë të rënda. Keli i tha se nuk donte të debatonte me të dhe u kthye për të ikur, duke mbajtur vajzën për dore. Në atë moment, autori e pështyu disa herë nga pas dhe e fyeu. Keli u kthye, por brenda sekondash më tha: ‘Shpirt, njofto ambulancën, më vrau me thikë’, dhe ra përtokë i mbuluar me gjak,” – kujton ajo me dhimbje.
Sipas saj, në momentin e ngjarjes ishin të pranishëm dhjetëra turistë, të cilët mund të dëshmojnë çdo detaj.
“Aty ishin mbi 100 turistë që panë gjithçka. Kam lexuar në media se është vrarë për pagesën e një fotoje, por kjo është gënjeshtër. Nuk është bërë asnjë foto me kalin,” – thekson Haxhia.
Në fund, ajo ngre një apel prekës për autoritetet dhe opinionin publik:
“Pse askush nuk pyet si janë fëmijët e mi? Ata panë të atin të gjakosur, janë në shok, nuk flenë, nuk hanë, nuk flasin. Shteti duhet të kujdeset për ta.”/Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       