
Sarandë- Detaje të reja janë zbuluar lidhur me krimin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Gjashtë ku 65 vjeçari Gëzim Bizoni u vra nga shoku i tij Admir Ferik Beqiri, 42 vjeç i njohur si “Miri i Safos”, person me precedentë të mëparshëm penalë.
Viktima jetonte i vetëm në banesë pasi ishte divorcuar nga bashkëshortja. Ai kishte strehuar shokun e tij “Mirin e Safos” që prej një viti. Sipas asaj që pohojnë fqinjët, viktima i kishte kërkuar Mirit të Safos që të largohej nga banesa ndërsa ky i fundit refuzonte. Mbrëmjen e djeshme, autori ka qenë në gjendje të alkoolizuar, ndërsa viktima i kishte kërkuar të ulte volumin e muzikës për shkak se ishte në zi për humbjen e vajzës.
Në atë moment, Miri i Safos e ka goditur me shishe qelqi në fytyrë dhe më pas ka vijuar ta godasë edhe pasi shoku i tij i moshuar kishte ndërruar jetë. Në banesë mësohet se ka qenë edhe e dashura e autorit 42 vjeçar, e cila është larguar me nxitim nga vendngjarja por më pas është shoqëruar për të shpjeguar rolin e saj. Versus.al








