Hetimi për vrasjen e 33-vjeçarit shqiptar Erjon Pelivani në Greqi nga 51-vjeçari Fatmir Tarellari nga Poliçani, pas dyshimeve se ai kishte përdhunuar vajzën e këtij të fundit, kanë marrë një tjetër rrjedhë.
Sipas mediave greke bëhet e ditur se ditën e djeshme në Gjykatën e Larisës vajza 19-vjeçare e autorit të vrasjes pranoi se falsifikoi mesazhet me tekst për të bindur të atin se ishte abuzuar seksualisht nga daja i saj (33-vjeçari që mbeti viktimë).
Fatmir Tarellari akuzohet për vrasje me dashje në gjendje të qetë mendore, për armëmbajtje pa leje dhe për përdorim arme, pasi më 9 janar 2024, me pushkën e tij të gjuetisë, pak jashtë Volosit, pranë një fabrike çimentoje, i ngriti një kurth vdekjeprurës kunatit të tij 33-vjeçar Erjon Pelivani, të cilin e qëlloi duke e plagosur për vdekje, pasi kishte lexuar mesazhet e servirura nga vajza e tij.
SEANCA
Në Gjykatën e Larisës, prokurori paraqiti një kërkesë për fajësimin e 50-vjeçarit për vrasjen brutale të kunatit të tij 33-vjeçar në Volos, të ndodhur në janar të vitit 2024.
Gjatë seancës, i pandehuri kërkoi falje dhe mohoi se kishte pasur qëllim të vriste kunatin. Ai shpjegoi se, pasi mësoi nga vajza e tij për aktin e dhunës seksuale të kryer nga kunati, donte ta detyronte atë të pranojë veprimet e tij përmes kërcënimit me armë. Sipas tij, gjatë përleshjes që ndodhi, 33-vjeçari e sulmoi dhe arma e tij u zbras aksidentalisht, duke çuar në vrasjen e kunatit.
Në mbrojtjen e tij, i pandehuri shprehu pendesë për atë që ndodhi, duke thënë: "Nuk mund ta duroja. Jam penduar. Nuk jam ky person." Ai përshkroi ngjarjet nga 7 deri më 9 janar, duke filluar me një telefonatë nga pronarja e shtëpisë, e cila e informoi për dështimin e pagesës së qirasë nga vajza e tij, e cila studionte në qytetin përkatës. Atëherë, siç tha ai, ka pasur një bisedë me vajzën për dhunën dhe shantazhin që kishte përjetuar, por ajo nuk i kishte thënë emrin e autorit të dyshuar.
Në ditën e dytë të ngjarjeve, ata u konsultuan me një avokat dhe një psikolog, ndërsa përpiqeshin të rikthenin një video që, sipas vajzës, provonte dhunën dhe shantazhin. Megjithatë, vajza e tij ende nuk e kishte identifikuar autorin e dhunës. Më 9 janar, ajo më në fund i zbuloi se daja e saj kishte abuzuar me të kur ajo ishte e mitur.
Pas këtij informacioni, i pandehuri tha se nuk mund të besonte atë që po dëgjonte dhe u trondit shumë. Ai shtoi se, në momentin që vajza e tij lexoi mesazhet e falsifikuara që 33-vjeçari i kishte dërguar për t’i përdorur si prova, ata vendosën të ndjekin rrugën ligjore.
Përkundër kësaj, ai ndryshoi mendje dhe vendosi të merrte veprime drastike. Pas kthimit në shtëpinë e tij në Aghalasti, ai mori një armë dhe, pas një periudhe pushimi, u nis drejt Volos. Në orën 19:20, ai mbërriti te një vend i shkretë afër AGET-it, ku i kërkoi gruas të tij të telefononte kunatin për të ardhur dhe për t’i ndihmuar me një "problem me makinën".
I pandehuri tha se kishte marrë armën për ta detyruar kunatin të rrëfente, dhe pasi do të kishte bërë këtë, ai kishte planifikuar që të dy të shkonin në polici. Megjithatë, ai tregoi se kur 33-vjeçari mbërriti dhe i kërkoi shpjegime, ai e sulmoi, duke çuar në një përleshje fizike gjatë së cilës arma shpërtheu aksidentalisht.
"Unë nuk kam dashur ta vras," tha ai para gjykatës. "Nuk doja t’i bëja asnjë dëm." Megjithatë, kur gjykatësi i tërhoqi vëmendjen për faktin se nuk u gjet asnjë material biologjik i viktimës mbi të dhe asnjë shenjë lëndimi mbi trupin e tij, i pandehuri nuk dha përgjigje. Kur u pyet për plagët e rënda që kishte marrë viktima në kokë, ai tha se nuk mbante mend asgjë pas momentit të shkarkimit të armës.
Pas ngjarjes, ai shkoi në Volos për të takuar vajzat e tij dhe, bashkë me to, morën një taksi për të shkuar te avokati i tyre, ku vendosën të dorëzoheshin në polici.
Mbrojtja dhe kundërargumentet
Avokatët e mbrojtjes pretenduan se i pandehuri ishte në një gjendje mbrojtëse dhe në një moment të ngarkuar emocionalisht, duke argumentuar se ai kishte vepruar nga një ndjenjë e papërmbajtur dhimbjeje dhe zemërimi për atë që kishte ndodhur me vajzën e tij. Ata po ashtu theksuan se ai kishte vepruar nën një gjendje shpirtërore të ngarkuar, duke mos pasur ndërmend të vriste. Megjithatë, prokurori hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se, pas ngjarjes, i pandehuri kishte pasur kohë për të menduar dhe për të organizuar veprimin kriminal.
Prokurori analizoi çdo hap të ngjarjeve nga 7 deri më 9 janar dhe theksoi se, megjithë faktin që mund të kishte ndodhur një ngarkesë emocionale pas zbulimit të dhunës, i pandehuri e kishte planifikuar vrasjen dhe kishte ndërmarrë veprime të tjera që tregojnë një qëllim të qartë të eliminimit të viktimës. Ai theksoi se i pandehuri kishte zgjedhur një vend të izoluar për të kryer veprën dhe kishte përdorur gruan e tij për ta thirrur kunatin në një moment që ai dinte se do të ishte i vetëm.
Për sa i përket pretendimit të mbrojtjes për një gjendje psikologjike e shpirtërore të ngarkuar, prokurori tha se i pandehuri kishte marrë vendimin për të vepruar pas një periudhe reflektimi dhe kishte organizuar vrasjen në mënyrë të ftohtë dhe të planifikuar. Ai e cilësoi veprën si një akt të ftohtë dhe me paramendim, duke kërkuar dënimin për vrasje me paramendim dhe përdorimin e armës.
Në fund, prokurori përfundoi duke thënë se çështja për përdhunimin e vajzës, edhe pse mbetet e paqartë dhe e pasigurt, ka çuar në një tragjedi të rëndë, me një jetë të humbur dhe pasojë të rëndë për të gjithë përfshirësit.








