
Në Kukës po ndodh një tragjedi mjedisore dhe shëndetësore që nuk mund të kalojë në heshtje.
Sipas një denoncimi të mbërritur në Versus.al, Bashkia, në vend që të trajtojë mbetjet sipas standardeve mjedisore dhe ligjore, ka zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më të rrezikshme: djegien e plehrave me përmbajtje kancerogjene, me qëllim “lirimin e gropës” ku grumbullohen mbetjet e gjithë qytetit.
E njëjta situatë është përsëritur edhe verën e kaluar, pikërisht në të njëjtën periudhë, kur vendgrumbullimi i mbetjeve ka marrë flakë, duke shkaktuar re të dendura tymi që kanë rrezikuar jo vetëm shëndetin e banorëve të fshatit të afërt, Myç-Mamëz, por edhe të gjithë qytetit të Kukësit.
Po, në vitin 2025, në një Shqipëri që pretendon se ndjek rrugën drejt integrimit europian, institucionet lokale në Kukës sillen si në mesjetë.
Djegin mbeturina, duke i shndërruar lagjet përreth në dhoma helmimi të hapura.
Erë e padurueshme, tym i zi helmues, sëmundje që nuk shfaqen menjëherë por lënë pasoja afatgjata – kjo është “zgjidhja” që po i ofrohet qytetarëve.
Sepse sot po digjen plehrat. Nesër do digjen mushkëritë tona.
/Versus.al







