I shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare Leonard Duka ka mbërritur në atdhe.
Në videon e publikuara nga policia shihet që Duka mbërrin në Rinas nën masa të rrepta sigurie nga Belgjika ku ishte arrestuar kohë më parë në bashkëpunim me Interpolin.
Duka akuzohet se ka organizuar atentatin ndaj Santiago Malkos në vitin 2019 në Tiranë, në rrugën Xhanfize Keko. Nga bisedat e aplikacionit Sky, u zbulua se Duka kishte krijuar kushtet për vrasjen e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasi.
Njoftimi i Policisë:
Interpol Tirana kryen ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar L. D.
Drejtoria e Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, realizoi ekstradimin drejt vendit tonë, të shtetasit L. D.
Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje", kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", “Sigurimi i kushteve për vrasje”, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi L. D. dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.
Gjithashtu, shtetasi L. D., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon Zyrën e Interpol Bruksel, për bashkëpunimin, dhe njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të operacionit të ekstradimit./Versus.al







