
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë ''arrest me burg" për Darment Kelin këtë të martë, pasi u gjykua për vrasjen në Astir të Amarildo Hoxhallarit. Bashkë me Kelin para togave të zeza doli edhe Ardi Marishta, që drejtonte motorrin me të cilin lëvizte bashkë me Hoxhallarin, në gjendje të dehur, për të cilin gjithashtu u vendos masa e sigurisë ''arrest me burg''.
Marishta akuzohet për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, ndërsa Keli për vrasje me dashje.
Në videon që Versus.al ka siguruar, autori shihet kokëulur dhe i tensionuar në ambientet e gjykatës së Tiranës.
Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia që autori i vrasjes ka dhënë ditën e sotme në Gjykatë ku ndër të tjera ai pohoi se nuk ka dashur që ta vriste viktimën, por akti i tragjik erdhi si pasojë e tronditjes së rëndë psikologjike.
“Nuk doja ta vrisja, as nuk e thërrita për të kryer ndonjë veprim të tillë. E pyeta se çfarë bënte, pasi ngacmoi bashkëshorten time. Përdori një fjalor fyes dhe denigrues dhe më qëlloi me grusht. E kam kryer veprimin në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. E kam goditur disa herë në krah dhe pastaj kam ikur në shtëpi. Jam i penduar, nuk kam dashur ta vras",- tha Keli.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:45 të datës 24 gusht në zonën e Astirit. 25 vjeçari Darment Keli goditi me thikë dhe la të plagosur 34 vjeçarin Amarildo Hoxhallari i cili ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra në gjoks e këmbë.
Në dëshminë që dha para togave blu, autori pretendoi se sherri kishte nisur për shkak se viktima i kishte ngacmuar të fejuarën dhe më pas e kishte ofenduar. Në pranga për ngjarjen ra edhe Ardi Marishta i cili drejtonte motorin ku ndodhej viktima Amarildo Hoxhallari./ Versus.al







