
Në orën 15:00, zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ajo ka mbërritur e shoqëruar nga avokatja e saj, në përputhje me orarin e përcaktuar në fletëthirrjen zyrtare të prokurorisë.
Pas daljes nga ambjentet e SPAK, Balluku u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me organin e drejtësisë, për një çështje që është në hetim nga ana e SPAK.
“Në respekt të emër të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje nën hetim. Si një qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe si zyrtare, e shoh këtë si një proces që do të jetë i bazuar në transparencën dhe llogaridhënien e drejtësisë që besojmë”, tha Balluku.
View this post on Instagram
Ndërsa sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Belinda Ballukut i është njoftuar akuza për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Njoftimi i Prokurorisë së Posaçme:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00. Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       
 
	                        
	                        
	                        
	                       