AKTUALITET /

Vrasja e Edmond Papës në Tiranë, gjykata pranon kërkesën e prokurorisë, dënon me 55 vite burg autorët

Dinamika e ngjarjes dhe autorët u zbuluan pak javë pas dhjetorit të 2022-it pasi Edmond Papa u qëllua me armë nga një mjet tip "Smart".

Shkruar nga Versus
Vrasja e Edmond Papës në Tiranë, gjykata pranon
Fotomontazh: Viktima Edmond Papa, Alban Velo (bashkëpunëtor në vrasje) dhe ekzekutori Andrew Bode

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për dënimin me 55 vite burg në total për 2 të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë në dhjetor të 2022-it.

Konkretisht, Andrew Bode i cili ishte ekzekutori, u dënua me 30 vite burg. Ndërsa shoku i tij Alban Velo, 30 vjeç  u dënua me 25 vite burg për bashkëpunim në vrasje. Dënimin do e vuajnë në një burg të sigurisë së lartë për shkak se konsiderohen si persona tepër të rrezikshëm.

Biznesmeni Edmond Papa u ekzekutua më 16 dhjetor të vitit 2022 në zonën e Selitës në Tiranë në rrugën “Fadil Bodinaku”. Autorët përdorën një mjet tip “Smart” nga ku qëlluan plot 9 herë ndaj viktimës duke bërë që të ndërronte jetë gjatë rrugës në spital.

Papa ishte emër i njohur për drejtësinë pasi më herët kishte qenë i dënuar në Greqi për trafik droge si dhe i skeduar nga autoritetet britanike.

Dyshohet se vrasja e tij u krye për hakmarrje pasi emri i tij ishte në listën e të përfolurve për atentatin e frikshëm ku u hodh në erë makina e Aleksandër Sadikajt, 26 vjeçarit i cili humbi jetën pranë rrethrrotullimit të TEG-ut. Dyshohet se mes Sadikajt dhe grupit të Edmond Papës kishte patur përplasje për një sasi droge të trafikuar në Greqi. Andrew Bode dhe Alban Velo duke qenë shokë të ngushtë me Sadikajn, kanë ndërmarrë veprimin për ekzekutimin e Papës. Versus.al

Poll