Policia publikoi sot detajet për ngjarjen e ndodhur më 30 gusht në një lokal në Shkodër tek zona e Zdrales ku u ekzekutua me breshëri plumbash Elis Rroshkodoli i njohur edhe si anëtar i bandës së Bajrave.
Për ngjarjen u arrestua 26 vjeçari Xh.M si dhe u shpallën në kërkim 3 personat që kryen ekzekutimin e Rroshkodolit. Gjatë operacionit për zbardhjen e vrasjes, në Tiranë u zhvilluan kontrolle në një garazh ku i riu 26 vjeçar i arrestuar si dhe tre autorët e ngjarjes, mbanin automjete të trafikuara nga vende të ndryshme të Europës të cilat dyshohet se janë përdorur për të kryer vrasje apo krime të tjera të rënda.
Pas kontrolleve të zhvilluara në këtë garazh u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët, mes tyre edhe pjesët e çmontuara të automjetit që u përdor për vrasjen e Elis Rroshkodolit teksa ky i fundit pinte kafe në lokal.
Pas ngjarjes, policia u vu në ndjekje të automjetit të autorëve por nuk arriti t’i kapte. Ndërsa të dyshuarit, kanë çmontuar mjetin dhe pjesët i kanë fshehur në një garazh në Tiranë. Versus.al







