Fier- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dy vëllezërit Agrim dhe Kreshnik Gashi të cilët akuzohen për vrasjen e Elton Javorit më 7 dhjetor të vitit 2023. Gjithashtu janë dërguar për gjykim edhe 3 persona të tjerë të cilët dyshohet se ndihmuan dy vëllezërit në përpjekje për të fshehur ngjarjen.
Dy vëllezërit akuzohen për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Mes tre të pandehurve të tjerë është edhe Rexhep Puka, 70 vjeçari i cili rezulton të jetë burri i tezes së autorëve. Puka dyshohet se fshehu makinën e dy vëllezërve pasi këta të fundit kishin kryer vrasjen e Javorit.
Dyshimet janë se konfliktet mes autorëve dhe viktimës kanë nisur për një krushqi të prishur derisa kanë agravuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Edhe viktima qëlloi me armë kundrejt autorëve, por plumbi që e kapi në kokë i mori jetën.
Gjer më tani është arrestuar vetëm Kreshnik Gashi, ndërsa vëllai i tij Agim Gashi mbetet ende në kërkim.
Njoftimi i prokurorisë:
Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq dy vëllezër për vrasjen e shtetasit Elton Javori, dhe tre persona të tjerë për moskallëzim krimi e përkrahje të autorit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit K.G. dhe A.G. të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpuim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/1 e 25, dhe 278/1 të Kodit Penal, si dhe shtetasin R.P. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal; shtetasin A.L. i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe shtetasen E.Xh. e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore” e parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të plota dhe dinamike, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive mbi procedimin penal nr.1727 të vitit 2023, rezultoi e provuar se, në datë 07.12.2023, rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, Rruga “Kujtim Majaci” të qytetit të Fierit, të pandehurit Kreshnik e Agim Gashi, vëllezër, në bashkëpunim mes tyre, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip “Porsche Cayenne”, i drejtuar nga shtetasit E.J., i moshës 41 (dyzet e një) vjeç, i cili ndërroi jetë.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit. Versus.al







