
Prokuroria e Fierit, ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Asllan Mërnicës, 23 vjeçarit i cili në maj të vitit të kaluar vrau me plumb në kokë efektivin e ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalian.
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 majit, kur Cenalia po merrte turnin e shërbimit. Me uniformën e veshur, Cenalia ndalon makinën që drejtohej nga i riu për t’i tërhequr vëmendje mbi shpejtësinë me të cilën qarkullonte në rrugë, duke rrezikuar qytetarët.
Autori ka dalë nga mjeti ku ndodhej edhe nëna e tij, ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar me plumb në kokë efektivin e ri duke e lënë të vdekur. Më pas është larguar nga vendngjarja.
Ndaj Mërnicës rëndojnë akuzat për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg.I dhe 291 të Kodit Penal.
“Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij”- njofton prokuroria.
Krimi i ndodhur në maj të vitit të kaluar tronditi gjithë vendin duke shkaktuar pasiguri për shkak të mënyrës së ekzekutimit të një efektivi policie, 28 vjeçar i cili sapo ishte martuar.
Azllan Mërnica më pas u zbulua se kishte qenë pjesë e strukturës së PD-së në 2021-in për mbrojtjen e votës. Ndërsa pasi kreu krimin, u largua në drejtim të paditur për t’ju fshehur policisë. Pas daljes së forcave RENEA në terren, u desh ndërmjetësimi i familjarëve që ai të dorëzohej. Versus.al








