]Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen e Rayan Alwan, ngjarje e cila dyshohet të ketë ndodhur në 22 shkurt në Tiranë.
Miqtë e 24-vjeçares palestineze kanë kontaktuar me redaksinë e BalkanWeb ku kanë rrëfyer detaje nga jeta e të ndjerës.
Sipas tyre, 24- vjeçarja ishte nënë e dy fëmijëve dhe ishte e divorcuar nga bashkëshorti, pasi ky i fundit abuzonte me të dhe e dhunonte.
Udhëtimi fatkeq që solli dhe largimin e saj nga kjo botë, duket se e kishte startin në dëshirën e një nëne për të takuar dy fëmijët e saj të cilët pas divorcit, jetonin me të atin, rregull ky i ligjeve të Libanit.
Ngjarja:
Rayyan dhe Fadi Alwan mbërritën ne Rinas me datë 19 shkurt dhe u vendosën në një banesë me qira në rrugën Gjon Muzaka në kryeqytet. Sipas hetuesve Fadi Alwan pasi vrau 24-vjeçaren me disa goditje thike me datë 22 shkurt, u largua nga Shqipëria në drejtim të Greqisë e prej andej në Amsterdam.
Ai dyshohet se është larguar drejt Libanit dhe deri më tani nuk është arrestuar.
Trupi i pajetë i 24-vjeçares u gjet nga pronarja e banesës, 5 ditë pasi autori i dyshuar ishte larguar nga vendi.








