Këngëtari Luiz Ejlli ende nuk ka mbyllur problemet me drejtësisë, pasi ka ankimuar vendimin me 1 vit burg të dhënë nga Gjykata e Fierit. Ai u gjet fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, e ndërsa pjese ne proces ishte edhe i pandehuri tjetër Fatmir Avdurramani i cili mori një dënim prej 18 muajsh burg.
Dosja në ngarkim të tij tashmë është regjistruar në Gjykatën e Apelit me juridiksion të përgjithshëm, e ndërsa shqyrtimi i saj është caktuar data 29 prill.
Sipas prokurorisë Luiz Ejlli në cilësinë e noterit ka falsifikuar deklaratën noteriale për të cilën i pandehuri Fatmir Avdurramani e ka përdorur në Prokurori, për të justifikuar burimin e krijimit të pasurive të tij, të sekuestruara në kuadër të hetimeve të procedimin pasuror nr. 3 të vitit 2021, të ish-Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë.
Deklarata noteriale e hartuar nga i pandehuri Luiz Ejlli, ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit.
U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish-noterit Luiz Ejlli dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.








