AKTUALITET /

Zbardhet drafti i Amnistisë Penale: Ja kush përfiton lirinë, ulje të dënimit dhe shpëton nga hetimi!

Qeveria ka përgatitur një draft amnistie penale që parashikon lirimin e menjëhershëm, ulje të dënimit dhe pushim të hetimeve për mijëra qytetarë. Përjashtohen të gjitha rastet e SPAK dhe krimet e rënda, duke përfshirë vrasjet dhe korrupsionin.

Shkruar nga Versus

Zbardhet drafti i Amnistisë Penale: Ja kush përfiton lirinë, ulje

Burra e gra të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët, që plotësojnë kufijtë e dënimit dhe moshës, pritet të përfitojnë lirimin e menjëhershëm apo ulje dënimi nga draft-amnistia penale që qeveria ka gati dhe që pret miratimin e Kuvendit.

Kush lirohet menjëherë

-Lirimin e menjëhershëm e përfitojnë burrat që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose një dënim tjetër më të butë, si dhe ata që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, u kanë mbetur edhe 3 vite burg për të vuajtur, pavarësisht masës fillestare të dënimit.

-Të njëjtën përfitim e marrin gratë e dënuara deri në 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit 2025, si dhe ato që në hyrje në fuqi të ligjit kanë edhe 4 vite burg të pashlyera, pa u marrë parasysh sa ka qenë dënimi i plotë.

-Përjashtimisht nga masa e dënimit, lirohen menjëherë të gjitha gratë që në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit kanë mbushur 50 vjeç dhe të gjithë burrat që janë 60‑vjeç apo më shumë.

-Po ashtu lirohen të dënuarit e rinj, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël, përveç atyre që kanë kryer veprat e përjashtuara nga ligji.​

Ulja e dënimit

-Rreth 380 të dënuar pritet të dalin nga burgu menjëherë, ndërsa rreth 980 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.

-Drafti parashikon që të gjithë të dënuarve që nuk hyjnë në kategoritë e lirimit të menjëhershëm, por nuk preken nga kriteret ndaluese, t’u ulet dënimi me 1 vit për burrat dhe me 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.

-Nga kjo ulje përjashtohen të dënuarit me burgim të përjetshëm, personat e dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), si dhe ata që kanë kryer vrasje në rrethana cilësuese, vrasje të funksionarit publik, vrasje të punonjësit të policisë dhe vrasje në familje.

Pushimi i ndjekjes penale

-Rreth 9 mijë qytetarë të tjerë do të përfitojnë nga amnistia përmes pushimit të ndjekjes penale, që do të thotë se hetimi apo gjykimi për ta do të shuhet.​

-Përjashtohen nga ndjekja penale të gjitha çështjet në hetim, të pashqyrtuara ose në shqyrtim gjyqësor, për krime të kryera deri më 31 dhjetor 2025, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim deri në 3 vite burg, përveç veprave që hyjnë në listën e kritereve ndaluese.

Veprat penale të përjashtuara

-Nga amnistia përjashtohen 19 kategori veprash të rënda, ndër të cilat krimet kundër njerëzimit, krimet kundër jetës e shëndetit, krimet seksuale, veprat kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, si dhe krimet që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik.

-Nuk amnistohen krimet kundër pasurisë në sferën ekonomike, falsifikimi i dokumenteve, krimet kundër mjedisit, krimet me qëllime terroriste, krimet kundër autoritetit të shtetit dhe kundër drejtësisë, si dhe veprat e kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

-Përjashtohen gjithashtu veprat që gjykohen nga GJKKO dhe të gjitha kategoritë e korrupsionit, duke lënë jashtë amnistisë zyrtarët e lartë dhe subjektet e posaçme të drejtësisë antikorrupsion.

Kush nuk përfiton fare

Të arratisurit dhe personat që i janë shmangur drejtësisë nuk përfitojnë as lirimin, as uljen e dënimit dhe as pushimin e ndjekjes penale; për ta dënimi dhe procedimi vijojnë normalisht.

Drafti i Ministrisë së Drejtësisë, që argumenton nismën me parimet e humanizmit, rehabilitimit dhe mbrojtjes së interesit publik, do të duhet të miratohet nga Kuvendi për t’u kthyer në ligj dhe për të hyrë në fuqi./Versus.al

Poll