Policia e Tiranës thotë se Daniel Shima, ish-zëvendës drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, është paraqitur në komisariatin nr.1 pasi u raportua i zhdukur nga familjarët ditën e djeshme, 20 gusht. Ai ka dëshmuar se është larguar me dëshirën e tij.
"Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.", njofton policia.
Ka qenë e dashura e tij e cila ka marrë një telefonatë nga Daniel Shima, ditën e djeshme ku i ka thënë: Po më arrestojnë.
Ajo është alarmuar dhe e ka telefonuar disa herë, pasi nuk është lidhur dot me të ka kontaktuar nënë e Shimës e cila ka bërë dhe denoncimin në komisariatin nr.1 të Policisë së Tiranës rreth orës 17:00.
Shima ka qenë ish-zv/ drejtor i AKSHI-t, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një ndër zyrtarët më të lartë të kësaj agjencie, direkt pas drejtueses Mirlinda Karçanaj.
Gjatë kohës që mbante funksion publik, ndaj Shimës u bënë akuza për abuzime dhe vjedhje tenderash në AKSHI.
Më herët ishte raportuar se ai ishte vënë nën mbrojtjen e Gardës së Republikës. Si zyrtar i lartë, ai përfitonte mbrojtje të posaçme, bazuar në vlerësimet e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit për rrezikun dhe seriozitetin e situatës, sipas parashikimeve ligjore.
Megjithatë, nuk u bë asnjëherë publik nëse Shima kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta apo pse jeta e tij konsiderohej e rrezikuar./Versus.al







