
Pas deklaratës së avokatit Kujtim Cakrani, se një nga protestuesit e vrarë të 21 janarit, Ziver Veizi ka qenë i dënuar për vjedhje, dhe u soll qëllimisht nga Greqia që të krijonte trazira në protestë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i vajzës së të ndierit, Ana Veizi e cila tha se avokati Kujtim Cakrani ka kaluar çdo limit me akuzën e sajuar.
“I ashtuquajturi avokat, z. Cakrani, nuk e di sesi mund të kalojë çdo lloj limiti dhe të shpikë në një formë të tillë. Dua t’ju sqaroj ju, si emisioni Off The Record, se është e vërtetë që im atë ka ardhur nga Greqia enkas për protestën, por ai nuk ka qenë atje sepse ishte i dënuar, por sepse kishte shkuar te motra e tij, halla ime, e cila jeton atje, për një vizitë, pasi nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Unë kam qenë 11 vjeç, vëllai im 14, dhe jemi takuar vazhdimisht me babanë tonë, i cili ka jetuar në Gjirokastër dhe nuk ka pasur probleme të tilla, siç i shpik avokati pas 15 vitesh. Ky është një sqarim që unë, si vajza e tij, e ndiej të nevojshëm ta bëj. Sa i përket avokatit, besoj se shumë shpejt do të shihemi me të në gjykatë për shpifje”, shprehet Ana Veizi.
Në emisionin Off The Record, në A2 CNN, avokati Kujtim Cakrani pretendoi se Veizi ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.
“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një 97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerëse i vidhte grave unazat.
Pyesni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën.
Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontingjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Kujtim Cakrani.

