Pas flakëve që përfshinë një ditë më parë fushën e mbetjeve urbane në Vlorë, Policia ka vënë "nën lupë" pesë punonjës të bashkisë, përfshirë edhe drejtues të rëndësishëm të strukturave publike.
Në qendër të hetimeve është F.T., 31 vjeç, Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, së bashku me A.S., 36 vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit. Bashkë me ta janë përfshirë në hetim edhe tre punonjës të këtij sektori: L.D., 56 vjeç, E.D., 27 vjeç dhe D.I., 35 vjeç, të cilët mbanin pozicionin e manovratorëve.
Sipas Policisë, të pesë punonjësit dyshohet se kanë neglizhuar detyrën, duke mos marrë masat e duhura për të ndaluar përhapjen e zjarrit në kohë, çka ka shkaktuar ndotje serioze të mjedisit dhe shqetësim për banorët e zonës përreth.
Hetimet janë në vijim dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. T., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit pranë Bashkisë Vlorë, A. S., 36 vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit pranë Bashkisë Vlorë, L. D., 56 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe D. I., 35 vjeç, të tre me detyrë manovratorë në ndërmarrjen e Bordit të Kullimit të Bashkisë Vlorë, pasi më datë 07.06.2025, rreth orës 12:18, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, si pasojë e temperaturave të larta, ka rënë zjarr në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane dhe shtetasit e sipërpërmendur kanë neglizhuar kryerjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për shuarjen e zjarrit, duke sjellë ndotje të mjedisit”, njofton policia e Vlorës.







