Një ngjarje tragjike është regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Maliqit, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke sjellë pasoja të rënda për një familje.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3 të qytetit, në banesën e shtetasit V. A. Sipas burimeve zyrtare, nga zjarri janë dëmtuar rëndë fizikisht tre persona: nëna e familjes, M. A., dhe dy fëmijët e saj të mitur, të moshave 14 dhe 6 vjeç.
Fatkeqësisht, nëna ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë, teksa po transportohej për ndihmë mjekësore. Dy fëmijët ndodhen aktualisht në Spitalin Rajonal të Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore, me djegie në trup dhe nën kujdes intensiv.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka rënë në rrethana ende të paqarta dhe është përhapur me shpejtësi brenda ambienteve të banesës. Forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj fatkeqësie që i mori jetën një nëne dhe vuri në rrezik jetën e fëmijëve të saj.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse zjarri ka ardhur nga ndonjë shkëndijë elektrike, bombol gazi apo shkaqe të tjera.







