Nuk ka më dyshime. Masakra e trefishtë në një familje në periferi të Milanos është kryer nga djali I madh. 17 -vjeçar ka rrëfyer se ka vrarë të atin 51 vjeç, nënën 49 vjeç dhe vëllain e vogël 12 vjeç. Viktimat u gjetën brenda shtëpisë së tyre me plagë thike në trup. Fillimisht 17 vjeçari deklaroi se kishte vrarë të atin, pasi ky i fundit kishte qëlluar më thikë mbi gruan dhe djalin 12 vjeç.
“Kam vrarë babin, hajdeni”. Djali fillimisht ka deklaruar se gjatë natës është zgjuar duke dëgjuar britmat e nënës dhe vëllait të tij të vogël duke u qëlluar për vdekje nga babai i tij dhe se ka reaguar duke vrarë burrin. Në përfundim të një marrjeje të gjatë në pyetje, 17-vjeçari ka ndryshuar historinë duke pranuar përgjegjësitë e tij: “I vrava të gjithë”.
Viktimat u gjetën të gjithë në dhomën e gjumit të 12-vjeçarit, të veshur të gjithë me pizhame. Siç konfirmoi prokurori i Monzas, 12-vjeçari ishte ai që pësoi sulmin më të egër.
Pak orë para masakrës, familja kishte festuar ditëlindjen e babait në shtëpi me një darkë në prani të disa të afërmve. Arma e dyshuar e vrasjes është gjetur jashtë shtëpisë. Po kqyren gjurmët e gjakut të lëna nga plagët e shumta me thikë të të gjithë viktimave dhe arma e dyshuar e vrasjes, e nxjerrë jashtë shtëpisë nga 17-vjeçari pas telefonatës në 112.
Fqinjët thanë se viktimat ishte një çift, i njohur në komunën milaneze si ndërtues ndërtesash historike, të qetë dhe të pasur, punëtorë dhe se nuk kishin dëgjuar zhurmë gjatë natës. Mbetet e paqartë motivi i krimit të trefishtë, pasi autori njihej si një djalë i qetë, i zellshëm, që merrej me sport, personi i fundit nga i cili do të prisje diçka të tillë.







