BOTA /

Dosjet Epstein rihapin polemikat: Bill Gates sërish në qendër të akuzave

Publikimi i dokumenteve të reja mbi Jeffrey Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e tij me Bill Gates, duke ngritur pikëpyetje mbi imazhin publik të miliarderit. Edhe pse Gates i mohon akuzat, materialet e zbuluara po shkaktojnë debate të reja ndërkombëtare

Shkruar nga Versus
Dosjet Epstein rihapin polemikat: Bill Gates sërish në qendër
Epstein/ Bill Gates

Emri i Bill Gates është përfshirë sërish në dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein, pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me financierin e dënuar për krime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019.

Në fokus të materialeve të publikuara është një email i vitit 2013, që Epstein ia kishte dërguar vetes, ku përmenden pretendime të rënda ndaj Gates, përfshirë akuza për probleme shëndetësore të lidhura me marrëdhënie intime dhe përfshirje të bashkëshortes së tij të atëhershme, Melinda Gates.

Bill Gates i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta. Megjithatë, publikimi i dokumenteve të reja ka rihapur debatin dhe ka vënë sërish në pikëpyetje imazhin e tij publik.

Sipas analizave, figura e Gates ka kaluar në disa faza gjatë dekadave. Fillimisht, përpara viteve 2000, ai u perceptua si një gjeni i teknologjisë dhe themeluesi vizionar i Microsoft-it. Më pas, u pa edhe si një drejtues i ashpër biznesi, i njohur për praktika agresive ndaj konkurrentëve.

Në dy dekadat e para të shekullit XXI, Gates u shndërrua në një simbol të filantropisë globale, duke premtuar dhurimin e pothuajse të gjithë pasurisë së tij dhe duke investuar dhjetëra miliarda dollarë në projekte kundër varfërisë, sëmundjeve, analfabetizmit dhe ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, pikërisht gjatë kësaj periudhe nisën të dalin në pah probleme në jetën e tij private. Pas vitit 2020, ai u përball me akuza për sjellje të papërshtatshme dhe me tensione martesore, që përfunduan me divorcin nga Melinda Gates në vitin 2022.

Marrëdhëniet e Gates me Epstein u bënë publike në vitin 2019, pas hetimeve të New York Times dhe Wall Street Journal. U raportua se Gates e kishte takuar Epstein disa herë që nga viti 2011, përfshirë vizita në rezidencën e tij në Nju Jork dhe udhëtime me avion privat, pavarësisht të kaluarës kriminale të Epstein.

Sipas raportimeve, Epstein kishte tentuar ta përfshinte Gates në një fond filantropik për shëndetin global, nga i cili do të përfitonte komisione të mëdha financiare. Gates refuzoi dhe kontaktet mes tyre u ndërprenë në fund të vitit 2014, megjithëse disa bashkëpunëtorë të fondacionit të tij vazhduan lidhjet me Epstein.

Dokumentet e fundit sugjerojnë gjithashtu se Epstein mund të ketë tentuar ta shantazhonte Gates, duke iu referuar një marrëdhënieje të supozuar me një programatore ruse, shumë më e re në moshë. Pretendohet se në vitin 2017 ai e kërcënoi se do ta bënte publike historinë nëse nuk rifillonin bashkëpunimin.

Publikimi i këtyre materialeve shihet si një tjetër goditje për figurën publike të Bill Gates, i cili së fundmi ka zgjedhur të mbajë një profil më të ulët. Mbetet e paqartë nëse këto dokumente përfaqësojnë fundin e zbulimeve apo fillimin e një vale të re akuzash./ Versus.al

Tags:

bill gates

Poll