Një punonjëse çerdheje 22-vjeçare, e cila abuzoi sistematikisht 21 fëmijë nën mbikëqyrjen e saj, është dënuar me 8 vjet burg. Roksana Lecka, 22 vjeç, abuzoi me fëmijë nga tetori 2023 deri në qershor 2024, ndërsa punonte në dy çerdhe të ndryshme në Londër.
Gjatë kohës që ajo punoi në çerdhen e dytë , Shkollën Montessori Twickenham Green, midis janarit dhe qershorit 2024, disa prindër raportuan se fëmijët e tyre kishin lëndime , gërvishtje dhe mavijosje të pazakonta në trup.
Krimet e saj “sadiste” , siç i quajti gjyqtarja Sarah Platz kur i dha dënimin 22-vjeçares, dolën në dritë në qershor të vitit të kaluar, pasi stafi tjetër e kapi duke i shtrënguar disa fëmijë në çerdhen e dytë ku punonte.
Pas incidentit, oficerët e Policisë Metropolitane shqyrtuan pamjet e kamerave të sigurisë nga çerdhet dhe zbuluan se ajo i kishte abuzuar fizikisht fëmijët vazhdimisht nën rroba, në krahë, këmbë dhe bark - duke bërë që shumë prej tyre të qanin.
Në një incident, Roxana Lecka goditi disa herë me shqelm një djalë të vogël në fytyrë, ndërsa goditi edhe një fëmijë tjetër në gojë kur ai filloi të qante. 22-vjeçarja madje hodhi disa fëmijë në tokë, duke i bërë ata të godisnin kokën.
Në një rast tjetër, ajo e vendosi peshën e saj mbi shpinën e një fëmije dhe në video dukej duke tërhequr fëmijë drejt vetes, ndërsa ata përpiqeshin t'i shpëtonin torturës që ajo po i nënshtronte.
Në kohën e arrestimit të saj, Lecka kishte pranuar para autoriteteve se kishte tymosur kanabis para ndërrimit të saj dhe në një moment u pa duke pirë një cigare elektronike vetëm një metër larg një foshnje të vogël.
"Dy ditët e para të gjyqit ishin dy ditët më të këqija të jetës sime. Ishte tmerruese të shihja sa e pamëshirshme ishte Roxana duke abuzuar me një fëmijë vazhdimisht", tha një nënë gjatë gjyqit, me lot në sy, shkruan Independent.
Përpara se të zbuloheshin krimet e saj, e njëjta nënë kishte bërë një foto të një mavijosje në veshin e djalit të saj, e cila, tha ajo, do ta kishte bërë atë të "bërtiste" nga dhimbja, ndërsa deklaroi se pas gjithë kësaj, familja e saj u detyrua të largohej nga zona.
“Shqetësimi im më i madh është se djali im do të besojë se kjo është diçka që të rriturit u bëjnë fëmijëve. Do të më përndjekë përgjithmonë mendimi se djali im dhe 20 fëmijë të tjerë duhej të kalonin nëpër këtë”, shtoi ajo.
Prindër të tjerë thanë se ndienin “mosbesim” kur i linin fëmijët e tyre, dhe disa zbuluan se fëmijët e tyre të vegjël kishin probleme me gjumin dhe ankth nga ndarja.
Disa përshkruan ndjenjat e fajit për dërgimin e fëmijëve të tyre në çerdhe, dhe se kjo i bënte të “vënin në dyshim mënyrën se si po i rrisin fëmijët e tyre”.







