Kancelari gjerman Friedrich Merz, ishte të premten në Uashington për vizitën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë takimit, Merz i dhuroi presidentit Donald Trump një kopje të certifikatës së lindjes së gjyshit në Gjermani të Trump, duke e ftuar udhëheqësin amerikan të vizitojë tokat e tij stërgjyshore.
Por Trump së bashku me babanë e tij e kanë mohuar prej dekadash se origjina e tyre është nga Gjermania. Trump pretendon se gjyshi i tyre rridhte më në veri, nga Skandinavia.
Por si qendron historia në të vertetë?
Më 7 tetor 1885, Friedrich Trump, një berber gjerman 16-vjeçar, hipi në një anije me një biletë vetëmvajtje për në Amerikë, duke shmangur tre vjet shërbim ushtarak të detyrueshëm në Gjermani.
Ai kishte qenë një fëmijë i dobët fizikisht, i papërshtatshëm për punë të rëndë dhe kishte frikë nga pasojat e rekrutimit.
Mund të ketë qenë e paligjshme, por Amerika nuk e përfillte këtë shkelje të ligjit — në atë kohë, gjermanët shiheshin si emigrantë shumë të dëshirueshëm — dhe Trump u mirëprit me krahë hapur.
Më pak se dy javë më vonë, ai mbërriti në Nju Jork, ku do të themelonte familjen e tij dhe do të niste një biznes të pasurive të paluajtshme. Më shumë se një shekull më vonë, nipi i tij, Donald Trump, do të bëhej presidenti i 45-të dhe i 47-të i vendit që Friedrich kishte zgjedhur si atdhe.
Por për dekada me radhë, djali dhe më pas nipi i Friedrich Trump e mohuan plotësisht trashëgiminë e tyre gjermane, duke pretenduar në vend të saj se gjyshi i tyre rridhte më në veri, nga Skandinavia.
“[Ai] erdhi këtu nga Suedia si fëmijë,” pohon Donald Trump në librin e tij të bashkëshkruar The Art of the Deal.
Në fakt, kushëriri dhe historiani i familjes, John Walter, i tha The Neë York Times se Trump e mbajti këtë gënjeshtër me kërkesë të babait të tij, Fred Trump, i cili kishte fshehur origjinën gjermane për të mos ofenduar miqtë dhe klientët e tij hebrenj.
“Pas luftës,” tha Walter për Times, “ai ende thoshte se ishte suedez. [Gënjeshtra] thjesht vazhdonte, vazhdonte, vazhdonte.”
Trump është biri dhe nipi i emigrantëve: gjerman nga ana e babait dhe skocez nga ana e nënës. Asnjëri nga gjyshërit e tij dhe vetëm një nga prindërit e tij ka lindur në Shtetet e Bashkuara ose fliste anglisht si gjuhë amtare.

Friedrich Trump erdhi në Shtetet e Bashkuara gjatë një vale të madhe emigracioni gjerman — gati 1 milion gjermanë u shpërngulën për t’u vendosur në Amerikë midis viteve 1880 dhe 1885. Siç raportonte The Neë York Times, kjo shënoi “fillimin e një jete plot aventura si berber, restorantist, pronar pijetoreje, hotelier, sipërmarrës, kërkues ari, i mbijetuar i një mbytjeje anijeje dhe investitor në pasuri të paluajtshme në Nju Jork.”
Ai u martua me një grua nga qyteti i tij i lindjes në Gjermani, Kallstadt, ku prindërit e tij kishin pasur vreshta, dhe tentoi të kthehej në atdhe me një pasuri të vogël që kishte fituar në Nju Jork, Seattle dhe Yukon. Por kur u zbulua që kishte shmangur rekrutimin ushtarak, çifti humbi shtetësinë bavareze dhe u detyrua të kthehej përfundimisht në Amerikë. Aty patën tre fëmijë: babai i Donald Trump, Fred, ishte fëmija i dytë.
Fred Trump lindi në Bronx të qytetit të Nju Jorkut në vitin 1905 dhe do të bëhej një nga biznesmenët më të suksesshëm të rinj të qytetit, duke grumbulluar pasuri ndërsa shumë të tjerë përreth tij përballeshin me falimentime dhe kriza ekonomike.
Në mesin e viteve 1930, Fred Trump shkoi në një festë “i veshur me kostum të bukur dhe me mustaqet e tij karakteristike.” Dy motra skoceze ndodheshin gjithashtu në atë festë në Queens: më e reja, Mary Anne MacLeod, ishte një shtëpiake që po mendonte të kthehej në vendlindjen e saj, në ishull.
“Diçka ndodhi mes shërbyeses dhe të riut ambicioz,” shkruajnë Michael Kranish dhe Marc Fisher në biografinë e tyre Trump Revealed. Kur Trump u kthye atë natë në shtëpinë që ndante me nënën e tij, autorët tregojnë se ai bëri një njoftim: kishte takuar gruan me të cilën donte të martohej.

Mary Anne MacLeod mund të ketë jetuar në varfëri në Shtetet e Bashkuara, por origjina e saj ishte edhe më e vështirë për t’u pranuar. Ajo ishte fëmija e një peshkatari dhe fermeri që jetonin me të ardhurat minimale, dhe e fundit nga 10 fëmijë të lindur në fshatin Tong në Ishullin skocez të Lewis.
“Nuk ishte një jetë e lehtë,” raporton Politico. Kjo familje e madhe, që fliste gjuhën gaelike, jetonte në një shtëpi modeste me fasadë të thjeshtë gri, “e rrethuar nga një peizazh që historianët dhe gjenealogët vendas e përshkruanin me terma si ‘mjerim njerëzor’ dhe ‘papastërti e pashpjegueshme’.”
E martuar me Fred Trump-in, MacLeod jetoi një jetë krejt ndryshe, me pallto prej lëkure të kushtueshme dhe jaht 15 metra të gjatë. Në vitin 1942, ajo u bë shtetase amerikane dhe, gjatë gjithë jetës së saj, u kthye shpesh në Skocinë e lindjes, ku djali i saj tashmë zotëron disa prona. Ndërsa Friedrich Trump pati sukses të moderuar në fushën e pasurive të paluajtshme, ai vdiq papritur gjatë një pandemie gripi para se të mbushte 50 vjeç, dhe nuk arriti t’i shihte realizuar shumë nga projektet e tij. Në momentin e vdekjes, pasuria e tij vlerësohej rreth 510,000 dollarë sipas vlerës aktuale. Nën emrin “Elizabeth Trump & Son”, Fred Trump dhe nëna e tij Elizabeth vazhduan punën që kishte nisur Friedrich, dhe e kthyen atë në një biznes të suksesshëm.
Origjina ndërkombëtare e Donald Trump e bën atë relativisht të veçantë në mesin e presidentëve amerikanë. Nga 10 presidentët e fundit, vetëm dy — Trump dhe Barack Obama — kanë pasur një prind të lindur jashtë Shteteve të Bashkuara. Edhe familja e ngushtë e Trump ka qenë po aq ndërkombëtare: dy nga tre gratë me të cilat është martuar janë bërë shtetase amerikane pas martesës, dhe janë me origjinë nga Republika Çeke dhe Sllovenia. Vetëm një nga pesë fëmijët e tij, Tiffany, është fëmijë i dy prindërve të lindur në Amerikë, ndërsa vajza e tij, Ivanka, është anëtarja e parë hebreje e familjes presidenciale në historinë amerikane. Por, sipas biografëve të tij, asnjë nga rrënjët e tij ndërkombëtare nuk shkon deri në Suedi./Versus.al







