Shqipëri–Serbi. Një duel me shumë peshë, në fushë dhe jashtë saj. Ndeshja që do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45, ka ndezur jo vetëm zemrat e tifozëve kuqezi, por edhe ato të njerëzve më pranë kombëtares – përfshirë familjen e trajnerit Sylvinho.
Vajza e teknikut brazilian, Taty Mendes, ka zbarkuar në Tiranë për të ndjekur nga afër sfidën e shumëpritur. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ajo ka ndarë një foto të axhendës zyrtare të ndeshjes, duke shoqëruar pamjen me një shënim të ndjerë:
“Nuk e di si do ta përballojë zemra ime.”
Familja e Sylvinhos ka qenë e pranishme në shumë nga sfidat e Shqipërisë që prej ardhjes së tij në krye të stolit kuqezi, por kësaj radhe emocionet janë ndryshe – të ngarkuara, historike, dhe padyshim të forta.
Të gjithë sytë janë tashmë nga "Air Albania", ku përveç 22 lojtarëve në fushë, edhe zemrat në tribuna do të rrahin fort. Versus.al







