
Policia ka bërë me dije masa të tjera të ndërmarra me qëllim mbarëvajtjen e organizimit të ndeshjes Shqipëri-Serbi që luhet mbrëmjen e të shtunës për kualifikueset e botërorit 2026.
Mes masave të marra, do të jenë bllokimi sot dhe nesër i rrugës përballë hotelit ku është akomoduar skuadra serbe. Konkretisht sot në orën 16:30 dhe nesër në orën 18:45 do të ketë kufizime të pjesshme në akset ku do lëvizë skuadra serbe.
“Në vijim të njoftimit të dhënë për planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, ju informojmë se:
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren. Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero”- njofton policia.
Ndërkohë, masat e marra nga policia për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, i ngjajnë një "shtetrrethimi" pasi 2 mijë forca policie do jenë në terren. Kontrollet në stadium dhe zonat përreth do të jenë të rrepta, ndërsa nuk do të tolerohen tifozët që thyejnë rregullat. Versus.al







