BOTA /

Gjykata e Apelit në SHBA mbështet administratën Trump, tarifat doganore mbeten aktive

Vendimi i Gjykatës së Apelit, i marrë nga një panel me tre gjyqtarë, rivendos përkohësisht zbatimin e tarifave një ditë pas vendimit të gjykatës më të ulët që cilësoi ndërhyrjen e presidentit si tejkalim i kompetencave kushtetuese.

Shkruar nga Versus
Gjykata e Apelit në SHBA mbështet administratën Trump, tarifat
Donald Trump

Administrata e ish-presidentit Donald Trump ka shënuar një fitore ligjore në përpjekjet për të rivendosur tarifat doganore të ngrira më parë nga dy gjykata federale.

Një gjykatë federale e Apelit ka rrëzuar vendimin fillestar të Gjykatës Amerikane të Tregtisë Ndërkombëtare në New York, e cila kishte bllokuar përkohësisht tarifat, duke argumentuar se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Vendimi i Gjykatës së Apelit, i marrë nga një panel me tre gjyqtarë, rivendos përkohësisht zbatimin e tarifave një ditë pas vendimit të gjykatës më të ulët që cilësoi ndërhyrjen e presidentit si tejkalim i kompetencave kushtetuese.

Sipas gjykatës tregtare, e drejta për të vendosur taksa dhe tarifa i takon Kongresit, jo presidentit, dhe përdorimi i Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike të Emergjencës nga Trump ishte i pajustifikuar në këtë rast.

Vendimi i mëparshëm kishte ngjallur reagim të ashpër nga administrata Trump, e cila e quajti atë një "grusht shteti gjyqësor", duke akuzuar gjykatat për pengim të politikave të Shtëpisë së Bardhë në fushën e tregtisë ndërkombëtare.

"Vendimet dhe urdhrat e përhershëm të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Tregtisë në këto raste janë pezulluar përkohësisht deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa kjo gjykatë shqyrton dokumentet e mocionit", thuhet në urdhrin e gjykatës së Apelit.

Administrata Trump kishte paralajmëruar se do të apelonte në Gjykatën Supreme nëse Gjykata e Apelit nuk pranonte kërkesën për të bllokuar pezullimin e tarifave doganore.

Kjo pasoi një sërë vendimesh nga gjykatat federale, ku njëra prej tyre bllokoi shumicën e tarifave të vendosura nga presidenti, duke argumentuar se ai nuk kishte të drejtë të përdorte autoritet të njëanshëm për të vendosur tarifa përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Gjykata theksoi se çështje si deficitet tregtare apo trafikimi i fentanilit – një opioid që shkakton mijëra vdekje çdo vit në SHBA – nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme për të tejkaluar kompetencat presidenciale.

Presidenti Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të së mërkurës nga Gjykata e Tregtisë, duke e quajtur "politik" dhe "të tmerrshëm".

Ai deklaroi se shpresonte që Gjykata Supreme "ta përmbysë këtë vendim kërcënues dhe antiamerikan", që sipas tij dëmton interesat kombëtare të SHBA-së.

"Me fjalë të tjera, qindra politikanë do të duhej të mblidheshin në Uashington për javë të tëra, ose edhe muaj, duke u përpjekur të arrinin në një përfundim se sa duhet t'u faturojnë vendeve të tjera që na trajtojnë padrejtësisht. Nëse ky vendim do të ishte mbështetur, do ta kishte shkatërruar plotësisht pushtetin presidencial: presidenca nuk do të kishte qenë kurrë më e njëjta! Me këtë vendim, vendi ynë do të kishte humbur triliona dollarë, para që do ta bënin Amerikën përsëri të madhe. Presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të ketë të drejtën të mbrojë Amerikën nga ata që po shkaktojnë dëme ekonomike dhe financiare", tha Trump./Versus.al

Poll