Në Francën veriore, një kal i quajtur Peyo – i njohur me dashuri si “Doktor Peyo” – është kthyer në një simbol ngushëllimi për pacientët me sëmundje terminale në kujdesin intensiv.
Fillimisht i trajnuar për shfaqje kalërimi, Peyo nisi të tregonte një ndjeshmëri të pazakontë: pas performancave, ai afrohej vetë tek njerëz që ishin të sëmurë. Sjellja e tij e habitshme u vërejt nga kujdestari i tij, Hassen Bouchakour, i cili la karrierën në botën e spektaklit për t’iu përkushtuar thirrjes së re të kalit të tij.
Që prej vitit 2016, Peyo viziton pothuajse çdo ditë Spitalin e Calais, duke bashkëpunuar me organizatën terapeutike Les Sabots du Coeur (Këmbët e Zemrës). Ai ka një mënyrë unike për të treguar se cilët pacientë kanë nevojë për ngushëllim: ndalon te dera e tyre dhe ngre një këmbë në shenjë paralajmërimi. Para çdo vizite, Bouchakour e pastron dhe dezinfekton me kujdes Peyo-n, si dhe kontrollon nevojat fiziologjike të tij përmes sinjaleve të veçanta që kali është trajnuar të japë.
Prania e Peyo-s ka sjellë paqe emocionale dhe madje ulje të dhimbjeve për shumë pacientë në gjendje të rëndë. Në disa raste, vizitat e tij kanë zëvendësuar nevojën për ilaçe të forta qetësuese. Deri më sot, Peyo ka ngushëlluar më shumë se 1,000 pacientë në momentet e tyre të fundit, duke u bërë shoqërues i heshtur, jo vetëm për të sëmurët, por edhe për familjarët dhe personelin mjekësor.
Për kujdestarin e tij, Hassen Bouchakour, Peyo nuk është vetëm një kal – është një bashkëudhëtar i jetës dhe një simbol i dhembshurisë në ditët më të vështira të jetës njerëzore. /Versus.al/







