Pas përfundimit të meshës mortore në Vatikan, trupi i Papa Françeskut u nis me një automjet drejt kishës Santa Maria Maggiore në Romë, ku do të kryhet ceremonia e varrimit. Procesioni, që përshkoi një itinerar prej 6 kilometrash nga Sheshi i Shën Pjetrit, kaloi përmes qendrës historike të Romës, duke kaluar pranë Koloseut dhe Piazza Venezia, përpara se të mbërrinte në kishën ku Ati i Shenjtë do të prehet përgjithmonë.
Mijëra qytetarë, të rreshtuar përgjatë rrugës, e përcollën Papën mes duartrokitjesh, duke i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të dashura të Kishës Katolike.
Ceremonia e varrimit në Santa Maria Maggiore nuk do të jetë e hapur për publikun, në përputhje me amanetin e vetë Papës, megjithatë turma të mëdha vazhdojnë të mblidhen jashtë kishës për të bërë homazhet e fundit. Papa Françesku do të jetë Papa i parë pas një shekulli që do të varroset jashtë territorit të Vatikanit.
Në meshën mortore morën pjesë liderë nga më shumë se 150 vende të botës. Mes tyre, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Në ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe liderë të tjerë nga Italia, Ukraina, Argjentina, Filipinet, Polonia, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe dhjetëra përfaqësues të familjeve mbretërore, përfshirë Princin Ëilliam të Britanisë së Madhe, si dhe 224 kardinalë, 750 peshkopë dhe priftërinj nga mbarë bota.
Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill, në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi në tru. Në tri ditët para funeralit, rreth 250 mijë besimtarë i bënë nderimet e fundit trupit të tij të vendosur në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të përshëndetur një figurë të njohur për thjeshtësinë, përkushtimin ndaj të pambrojturve dhe për afërsinë me njerëzit.
Lamtumirë, Papa Françesku – Një jetë e thjeshtë në shërbim të njerëzimit
Papa Françesku, udhëheqësi i parë jo-evropian i Kishës Katolike në thuajse 13 shekuj, u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të fortë shpirtërore dhe sociale. Ai u kujtua si një njeri i thjeshtë, që gjithnjë qëndroi pranë të varfërve, të margjinalizuarve dhe atyre që vuajnë në periferitë e shoqërisë.
Gjatë papatit të tij, Françesku sfidoi vendet e pasura për të treguar më shumë solidaritet ndaj migrantëve dhe u bë një zë i fortë kundër ndryshimeve klimatike. Mesazhet e tij për drejtësi sociale, paqe dhe përulësi shpesh nuk gjetën mbështetje të plotë, veçanërisht mes tradicionalistëve dhe atyre që e kundërshtuan transparencën që ai synonte t’i jepte Kishës.
Një deklaratë zyrtare, e shkruar në latinisht dhe vendosur pranë trupit të tij, përmblodhi trashëgiminë e tij me fjalët: “Françesku i la botës një dëshmi të mrekullueshme njerëzore, një jetë të shenjtë dhe atësie universale.”
Papa e la amanet që edhe funerali i tij të ishte i thjeshtë, larg protokolleve të stërholluara të së kaluarës. Ai zgjodhi të mos përdorte tre arkivolët tradicionale (selvi, plumb dhe lis), por një të vetëm prej druri të veshur me zink. Në gurin e varrit është gdhendur thjesht emri i tij latin: Franciscus. Mbi të qëndron një kopje e kryqit të hekurt që mbante gjithmonë në qafë.
Tani, vëmendja e opinionit publik dhe e Kishës është përqendruar tek konklava e ardhshme, që do të vendosë për pasardhësin e tij. Ajo nuk pritet të fillojë para 6 majit dhe do t’u japë kardinalëve kohë për të vlerësuar njëri-tjetrin dhe për të analizuar sfidat e mëdha që e presin Kishën Katolike në një kohë të trazuar financiarisht dhe ideologjikisht.








