Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim elektoral në qytetin e Pogradecit, ku prezantoi kandidatët për deputetë në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. I shoqëruar nga mbështetës të shumtë, Berisha shpalosi disa nga pikat kyçe të programit të PD-së, duke e cilësuar atë si një “plan konkret për kthimin e taksave te qytetarët”.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës reagoi ndaj sulmeve të mazhorancës për moshën e tij, duke theksuar se politikanët duhet të gjykohen për veprat dhe jo për vitet. “Rama ka urdhëruar lakejtë e tij që të përqendrojnë debatin tek mosha ime. Por le të vijë e të përballemi në të gjitha fushat, të shohim se çfarë dijesh ka, kur nuk mban mend as vetë çfarë thotë,” deklaroi Berisha, duke përmendur shembullin e presidentit amerikan Ronald Reagan, i cili vite më parë ka thënë se nuk donte ta përdorte moshën e tij si avantazh ndaj kundërshtarit.
Ai theksoi se qeverisja nuk ka të bëjë me moshën, por me angazhimin, përvojën dhe vizionin për të sjellë ndryshim. “Çdo lider duhet të vlerësohet për atë që bën për qytetarët, jo për vitet që ka mbi supe,” u shpreh ai.
Në planin ekonomik, Berisha premtoi se në 100 ditët e para të një qeverie të drejtuar nga PD, çmimi i naftës në Shqipëri do të ulet me 40%, duke mos u shitur më shtrenjtë se në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. “Kjo është një masë që prek çdo familje, çdo biznes, çdo fermer. Mjaft më me abuzime mbi kurrizin e shqiptarëve,” deklaroi ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme e programit ishte mbështetja për bujqësinë. Sipas Berishës, çdo fermer do të përfitojë pesëfishin e subvencioneve aktuale për çdo fidan dhe bagëti, ndërsa do të ofrohen kredi të buta dhe mbulim i plotë i dëmeve në rast fatkeqësish natyrore.
Programi i Partisë Demokratike, i prezantuar në këtë takim, përfshin gjithashtu dyfishimin e buxhetit për arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh dhe rritjen e pensioneve në 500 euro. “Këto para nuk janë premtime të pambuluara, janë taksat tuaja, të cilat ne nuk do t’i shpërdorojmë, por do t’jua kthejmë në shërbim të mirëqenies suaj,” përfundoi Berisha, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve për një drejtim të ri dhe të përgjegjshëm të vendit.








