
Ditën e sotme, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka tërhequr nga qarkullimi mijëra dokumente që ishin bërë publike nga dosja e shumëpërfolur e Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzime seksuale.
Vendimi është marrë pas reagimeve të forta të personave, emrat e të cilëve u ekspozuan në dokumentacionin e publikuar dhe që dyshohet se në të kaluarën kanë pasur kontakte me Epstein.
Përfaqësuesit ligjorë të tyre deklaruan se publikimi i materialeve ka shkaktuar pasoja të rënda, duke “përmbysur jetën” e rreth 100 personave që konsiderohen të mbijetuar të kësaj çështjeje.
Në një njoftim zyrtar, Departamenti i Drejtësisë sqaroi se dosjet e fshira ishin publikuar për shkak të gabimeve teknike dhe se tashmë janë hequr për t’iu nënshtruar një procesi të mëtejshëm redaktimi, pa u marrë më parë parasysh dëmi i shkaktuar.
Në një letër drejtuar një gjyqtari federal, Departamenti theksoi se “të gjitha dokumentet që viktimat ose avokatët e tyre kishin kërkuar të hiqeshin deri mbrëmjen e djeshme janë tërhequr për rishikim dhe redaktim të mëtejshëm”.
Autoritetet amerikane bënë me dije se procesi i verifikimit vijon, ndërsa po shqyrtohen edhe kërkesa të reja, me qëllim identifikimin e çdo materiali tjetër që mund të cenojë privatësinë dhe dinjitetin njerëzor.
Ky veprim erdhi pasi në dokumentet e publikuara më herët ishin përfshirë të dhëna sensitive, si adresa email-i dhe foto intime, të cilat mundësonin identifikimin e drejtpërdrejtë të viktimave të mundshme.
Në kuadër të dosjes “Epstein”, u publikuan dhjetëra dokumente ku përmendeshin edhe emra të njohur për publikun shqiptar, përfshirë ish-presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, biznesmenin Behgjet Pacolli, si dhe disa vajza nga Tirana, për të cilat pretendohej se kishin kontaktuar Epstein për mundësi punësimi.
Lidhur me këto përmendje, disa nga personat e cituar kanë reaguar publikisht, duke mohuar çdo kontakt apo lidhje me Jeffrey Epstein.

