BOTA /

Operacion policor në Kosovë kundër korrupsionit: Arrestohen zyrtarë të lartë publikë, mes tyre dhe një ish-ministër

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa zyrtarë të lartë për keqpërdorim detyre dhe korrupsion, të lidhur me shpronësimet e pronave private.

Shkruar nga Versus

Operacion policor në Kosovë kundër korrupsionit: Arrestohen

Kosovë- Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur finalizimin e një operacioni të suksesshëm kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, i lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Bazuar në informacionet e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe pas një hetimi disa mujor të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera, janë arrestuar disa zyrtarë të lartë, të dyshuar për veprime të paligjshme në shfrytëzimin e pozicioneve të tyre zyrtare.

Në mesin e të arrestuarve janë: kryetari i degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; eksperti i gjykatës Sh. T.; zyrtar i Departamentit të Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L.; dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Sipas dyshimeve, grupi i organizuar ka vepruar për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike, duke depozituar padi në Gjykatën e Graçanicës për rikompensime të paligjshme gjatë viteve 2011–2015.

Veprimet e tyre kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Ministri Sveçla theksoi se “koha kur zyrtarët publikë mund të keqpërdornin buxhetin pa u ndëshkuar ka përfunduar” dhe përgëzoi institucionet për këtë sukses në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës.

Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e vullnetit politik, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe pjesëmarrjes qytetare për të ndërtuar një shtet ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çdo formë krimi.

Postimi i plotë:

Finalizohet me sukses operacioni kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit
Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.
Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.
Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ky grup dyshohet se, përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ka iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.
Koha kur zyrtarët publikë kanë keqpërdorur buxhetin e Republikës së Kosovës pa u ndëshkuar, ka përfunduar.
Përgëzoj institucionet për këtë sukses të radhës në luftën pa kompromis kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.
Vullneti politik për t’i luftuar dukuritë negative, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çfarëdo forme e krimit në vendin tonë./Versus.al

 

Poll