Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk e kanë autorizuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në objektiva brenda Rusisë. Kështu deklaroi para gazetarëve presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
"As Amerika dhe Mbretëria e Bashkuar nuk na dhanë leje t'i përdorim këto armë në territorin e Rusia, në çdo objektiv, në çdo distancë”, tha Zelensky. "Unë mendoj se ata janë të shqetësuar për një përshkallëzim (të armiqësive)," shtoi ai.
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse perëndimi i jep leje Ukrainës të përdorë raketat me rreze të gjatë, atëherë do të nënkuptonte se vendet e NATO-s janë në luftë zyrtarisht me Moskën. Kjo pasi armët me rreze të gjata vijnë si furnizim për Ukrainën nga vendet perëndimore.
Zelensky tha gjithashtu se aleatët e Ukrainës kishin rritur mbështetjen e tyre ushtarake për ushtrinë ukrainase, e cila po përpiqet të ndalojë avancimin e forcave ruse në lindje të vendit të tyre.
"Ndihma u përshpejtua në shtator. Ne jemi të kënaqur. Ne mund ta ndiejmë ndryshimin," tha ai.
Vonesat në furnizimin me armë për shkak të ndarjeve politike midis aleatëve i lanë forcat ukrainase pa furnizime në fillim të këtij viti, Kievi është shumë i varur nga kjo mbështetje ushtarake. Ushtria ukrainase ka më pak njerëz dhe armë sesa forcat ruse me të cilat ka luftuar që kur Moska filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Përpjekjet për t'i dhënë fund luftës nuk kanë rezultuar ende të suksesshme, ndërsa pritet që Zelensky t’i prezantojë planin e tij presidentit amerikan Joe Biden. Versus.al








