
Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka vijuar edhe paraditen e sotme me dëshminë e tij në të tretën ditë radhazi në Gjykatën Speciale të Hagës ku është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, ish-presidenti i Kosovës i cili mbahet nën paraburgim për krime lufte.
Përgjatë seancës së sotme, Rubin u pyet nëse ishte informuar mbi ndonjë kërcënim të mundshëm të bërë nga Thaçi ndaj dy anëtarëve të delegacionit të Kosovës në Rambuje, të cilët nuk ishin pjesë e UÇK.
Rubin u shpreh se nuk kishte informacion për ndonjë kërcënim fizik.
“Nuk kam qenë në dijeni për ndonjë kërcënim fizik nga ana e Thaçit. Por duhet ta dallojmë presionin fizik nga ai moral apo ideologjik,” theksoi Rubin.
Por më tej shtoi se vetë Thaçi gjendej nën presion të madh diplomatik nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, për të firmosur marrëveshjen e Rambujesë.
“Sekretarja Albright e ka kërcënuar Thaçin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i thënë se, nëse nuk nënshkruan dhe i lë njerëzit të pambrojtur nga serbët, pasojat do të jenë të rënda. Kam dëgjuar gjithashtu se edhe Adem Demaçi është përballur me kërcënime të ngjashme”, tha Rubin në dëshminë e tij. Versus.al







