
Një imazh i rremë i krijuar nga Inteligjenca Artificiale, që pretendon të tregojë udhëheqësit evropianë të ulur në një rresht në Shtëpinë e Bardhë, është shpërndarë miliona herë.
Llogaria e mediave sociale Nexta në X e shoqëroi fillimisht imazhin me përshkrimin: “Udhëheqësit evropianë janë ulur në korridor, duke pritur takimin e tyre me Trump-in”, por më pas publikoi një korrigjim duke theksuar se “raportohet se fotografia është e rreme dhe është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale”.
Madje, Donald Trump Jr. e postoi imazhin për 9.7 milionë ndjekësit e tij në Instagram.
Imazhi tregon shtatë persona të ulur në një rresht. Personi më i afërt ka ngjashmëri me presidentin francez Emmanuel Macron, por karrigia pranë tij ka vetëm një palë këmbë pa bust ose kokë. Në foto shihen tre gra, ndërkohë që në grupin real që u ul pranë Trump-it ishin vetëm dy gra. Gjithashtu, ato mbajnë rroba të ndryshme nga ato të kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë takimit.
Pavarësisht këtyre dallimeve, imazhi u shpërnda gjerësisht, përfshirë edhe në Shqipëri, me komente të tilla si: “Të poshtëruar dhe të fyer në korridorin e Shtëpisë së Bardhë. Duke pritur të zotin”.







