
Në një moment kur mikrofoni ka qenë i hapur, presidenti Donald Trump u duk sikur po i jepte siguri presidentit francez Emmanuel Macron se presidenti rus Vladimir Putin ishte serioz për të bërë paqe në Ukrainë.
“Mendoj se ai do të bëjë një marrëveshje. Mendoj se ai do të bëjë një marrëveshje për mua,” i pëshpëriti Trump Macron-it në Sallën Lindore përpara se të fillonte takimi i tyre. “E kupton këtë? Sado çmendur të tingëllojë.”
Trump kishte ftuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë të hënën për të diskutuar mbi ato që kishte biseduar me Putinin tre ditë më parë.
Presidenti kishte fluturuar drejt Ankorazh-it, Alaska, për t’u takuar me Putinin – duke shënuar herën e parë që një udhëheqës amerikan ishte ballë për ballë me presidentin rus që nga pushtimi i Ukrainës nga Putin në shkurt 2022.
Ndërsa Trump e quajti mbledhjen në Alaska si një “takim jashtëzakonisht produktiv,” ai nuk arriti ta bindte Putinin të pranonte një armëpushim, pasi udhëheqësi rus qëndroi i vendosur për të mos ndalur luftimet, duke thënë se rusët ende kishin nevojë të “eliminojnë të gjitha rrënjët kryesore, shkaqet kryesore të atij konflikti.”







