Bombardimet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë tashmë në ditën e tyre të katërt me Teheranin që vijon operacionet e hakmarrjes pasi Izraeli sulmoi fillimisht asetet bërthamore duke lënë të vdekur disa shkencëtarë dhe komandantë të lartë ushtarakë.
Ushtria e Iranit lëshoi një paralajmërim për banorët e Izraelit që të evakuoheshin nga zonat afër vendeve të rëndësishme ushtarake për sigurinë e tyre. Të njëjtin paralajmërim e kishte bërë më herët edhe ushtria izraelite për civilët iranianë duke dhënë idenë e sulmeve të mëtejshme.
Mbrëmjen e djeshme, Izraeli goditi me raketa objektiva ushtarake në të gjithë Iranin madje edhe në afërsi të centralit bërthamor.
Deri më tani 224 persona janë vrarë dhe 1277 të tjerë janë plagosur në Iran që nga nisja e bombardimeve mes dy palëve. Ndërsa në Izrael sulmet kanë vrarë të paktën 14 persona dhe kanë plagosur 380 të tjerë. Disa udhëheqës botërorë, përfshirë Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, bënë thirrje të dielën për bisedime diplomatike për të ulur tensionet midis Izraelit dhe Iranit. Versus.al







