Një pamje tejet e pazakontë vjen nga vijat e frontit në Ukrainë: ushtarë rusë janë filmuar duke u zvarritur në brendësinë e ndryshkur të një gazsjellësi të vjetër, në përpjekje për të ndërmarrë një sulm të befasishëm pas vijave të mbrojtjes ukrainase, pranë qytetit Koupiansk, në rajonin e Kharkivit.
Lajmi është publikuar nga DeepState, një projekt ukrainas i mbikëqyrjes së lëvizjeve ushtarake, i lidhur ngushtë me ushtrinë ukrainase. Sipas raportimeve, rusët po përsosin një taktikë të re të luftës nëntokësore, të përdorur më parë në rajonet Koursk dhe Avdiivka, duke shfrytëzuar infrastrukturën e braktisur nëntokësore si rrugë sekrete për përparim në territorin ukrainas.
Ekspertët e sigurisë kanë cilësuar këtë operacion si të “surrealist” – jo vetëm për guximin, por edhe për kompleksitetin logjistik që ai kërkon.
Nga një gazsjellës i braktisur drejt vijës së parë
Sipas DeepState, plani rus nisi nga fshati i okupuar Lyman Pershyi, me trupa që hynë në një gazsjellës që kalon nën lumin Oskil, për të anashkaluar një rezervuar të madh uji dhe për të depërtuar në drejtim të fshatit Radkivka, pranë Koupianskut.
Rruga është e gjatë dhe jashtëzakonisht e vështirë – një udhëtim që zgjat deri në katër ditë, në pjesën më të madhe të kohës në zvarritje. Përdoren dyshekë me rrota dhe në disa raste skuterë elektrikë të vegjël për të lehtësuar lëvizjen. Në rrugë janë ngritur edhe pika ndalese dhe furnizimi për ushtarët.
Qëllimi përfundimtar i trupave ruse është të marrin kontrollin e një zone pyjore dhe të vendosen në veriun e qytetit Koupiansk, për të avancuar më pas drejt linjës hekurudhore, një korridor strategjik për të dyja palët.
Pamjet dhe videot e shpërndara në kanale proruse në Telegram pretendojnë se tregojnë këtë përparim nën tokë, por rrëfimi rus është kontestuar fuqishëm nga pala ukrainase.
Realiteti në terren mbetet i paqartë
Autoritetet ukrainase pretendojnë se e kanë zbuluar në kohë përpjekjen ruse dhe kanë marrë kontrollin mbi dalje të mundshme të gazsjellësit. "Dalja e gazsjellësit është plotësisht nën kontrollin tonë", thuhet në deklaratën zyrtare të ushtrisë ukrainase, e cila shton se tre nga katër gazsjellësit në zonë janë të dëmtuar ose të përmbytur, duke minimizuar rrezikun real të infiltrimit.
Edhe Andrii Kanashevich, kreu i administratës ushtarake të Koupianskit, mohon praninë e forcave ruse në qytet. Sipas tij, luftimet zhvillohen në periferi, ndërsa qyteti është i rrënuar në 90%, pa gaz, ujë dhe energji elektrike.
Por pavarësisht këtyre pohimeve, DeepState i ka konfirmuar gazetës “Kyiv Independent” se trupa ruse janë të pranishme brenda qytetit, duke ngritur dyshime mbi transparencën dhe koordinimin e informacionit zyrtar.
Ndërkohë, ushtria ukrainase pretendon se ka shkaktuar humbje të mëdha në radhët e armikut gjatë një “operacioni kundër-sabotues”: 395 ushtarë rusë të vrarë, nga të cilët 128 brenda kufijve të qytetit – një fakt që, në vetvete, implikon se rusët kanë arritur të depërtojnë deri në Koupiansk.
Simbol i një lufte të re, nëntokësore
Raportime të tjera nga burime të pavarura (përfshirë “Meduza”, një media ruse kritike ndaj Kremlinit) sugjerojnë se “taktika e gazsjellësit” mund të ketë më shumë qëllime logjistike sesa sulmuese. Mund të përdoret për furnizimin e një ure të avancuar ruse në brigjet perëndimore të lumit Oskil – një zonë e vështirë për t’u furnizuar për shkak të sulmeve të vazhdueshme me dronë nga ukrainasit.
Megjithatë, pavarësisht qëllimeve, beteja për Koupiansk mbetet vendimtare për të ardhmen e luftës. Qyteti është një nyje logjistike me rëndësi strategjike. Nëse forcat ruse arrijnë të marrin kontrollin e pjesës perëndimore, trupat ukrainase në anën lindore të lumit rrezikojnë të mbeten të rrethuara.
Luftë në stilin e “Verdunit” – çdo metër i nëndheshëm ka rëndësi
Taktika e gazsjellësve është një metaforë e qartë për faza e re të luftës në Ukrainë: një luftë e konsumit të ngadaltë dhe e pozicioneve, ku çdo metër tokë është i çmuar, dhe betejat tashmë nuk zhvillohen vetëm mbi tokë – por edhe nën të.
Një realitet që risjell në mendje betejat e përgjakshme të Luftës së Parë Botërore, si ajo e Verdunit, ku ushtarët qëndronin me muaj në rrënoja dhe tunele, në një luftë rraskapitëse për çdo pëllëmbë territori.







