
Një krim i rëndë ka tronditur opinionin publik në Rumani: Teodora Markou, vetëm 23 vjeçe dhe 26 javëshe shtatzënë, u vra me armë zjarri nga ish-partneri i saj, 49-vjeçari Robert Lupu, teksa ndodhej në një festë për fëmijë me vajzën e saj të mitur.
Ngjarja ndodhi në prani të vajzës, ndërsa kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur autori i afrohet Teodorës dhe e qëllon katër herë në pjesën e gjoksit dhe barkut.
Pas vrasjes, Lupu – me profesion shofer taksie – u largua qetësisht nga vendi i krimit. Ai u gjet më vonë në një kompleks banesash, ku, i rrethuar nga policia, qëlloi veten me armë.
Teodora Markou ishte bërë e njohur për publikun rumun nga pjesëmarrja e saj në reality show-n "Love Island". Sipas mediave, ajo kishte një urdhër-mbrojtjeje kundër Lupus që prej vitit 2021, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur tragjedinë.
Në dëshmitë e saj të mëparshme, Teodora kishte rrëfyer se e kishte njohur Lupun që kur ishte vetëm 14 vjeçe dhe ai 40.
Përtej aktit ekstrem, rasti zbulon një zinxhir ngjarjesh dhe rrethanash të injoruara nga autoritetet për vite me radhë, shkruajnë mediat romune.
Teodora i ishte nënshtruar abuzimit sistematik, kontrollit psikologjik dhe ekonomik, por edhe akteve të dhunës së drejtpërdrejtë.
Në vitin 2021, pasi vendosi të ndahej nga ish-partneri i saj, Teodora filloi të ndiqej, kërcënohej dhe ngacmohej.
Ajo ngriti disa kallëzime penale, duke raportuar sjelljen agresive të Lupu-së dhe aktet kriminale, duke përfshirë vjedhje dhe akses të paligjshëm në llogaritë kompjuterike.
Një kompjuter personal iu vodh nga apartamenti i saj, nga i cili më vonë u tërhoqën fonde me vlerë gati 3,000 dollarë.
Robert Lupu kishte qenë i përfshirë edhe në raste të tjera penale me kalimin e kohës.
Në vitin 2015, ai u arrestua në një rast vjedhjeje nga një shtëpi, por nuk u akuzua. Në vitin 2005, ai u dënua në Itali për tentativë vjedhjeje të rëndë, duke marrë një dënim me kusht./Versus.al







