
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është zotuar për “mbështetje pa kushte” ndaj Rusisë në luftën e saj në Ukrainë dhe shprehu bindjen se Moska do të dalë fitimtare, raportoi më 5 qershor media shtetërore në Phenian.
Koreja e Veriut është kthyer në një nga aleatet kryesore të Rusisë që prej nisjes së agresionit mbi tre vjet më parë. Sipas burimeve, Pheniani ka dërguar mijëra trupa dhe armë për të ndihmuar Kremlinin në përpjekjet për të dëbuar forcat ukrainase nga rajoni kufitar i Kurskut.
Gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën me zyrtarin e lartë rus të sigurisë, Sergei Shoigu, Kim theksoi se Pheniani “do të mbështesë pa kushte dhe do të përkrahë Rusinë, si dhe do të mbështesë politikat e saj të jashtme për të gjitha çështjet politike ndërkombëtare që përfshijnë problemin ukrainas”, raportoi agjencia shtetërore KCNA.
Sipas të njëjtit raportim, palët janë pajtuar “të vazhdojnë zgjerimin në mënyrë dramatike” të marrëdhënieve dypalëshe.
Vitin e kaluar, Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një marrëveshje ushtarake që përfshin edhe mbrojtjen reciproke, gjatë një vizite të rrallë të presidentit rus Vladimir Putin në Phenian. Në mars, gjatë një vizite tjetër, Shoigu e quajti marrëveshjen “në përputhje të plotë me interesat e të dy vendeve”.
Sipas shërbimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut, rreth 600 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në luftimet përkrah forcave ruse.
Seuli ka akuzuar gjithashtu Veriun për dërgimin e sasive të mëdha të armëve në Rusi, përfshirë edhe raketa. Në muajin prill, Koreja e Veriut konfirmoi për herë të parë se kishte dislokuar trupa në Rusi për të mbështetur luftën, duke pranuar se kishte pësuar humbje në radhët e saj. Versus.al







