Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën mbrëmjen e së shtunës, kur në parkun e njohur Villa Pamphili janë gjetur trupat e pajetë të një gruaje dhe një foshnjeje të vogël 6 muajshe.
Sipas dëshmive të para, dy trupat u zbuluan në dy pika të ndryshme të parkut, të ndara nga njëra-tjetra vetëm me pak më pak se 200 metra distancë. Zbulimi i tyre është bërë nga një grup të rinjsh që po luanin volejboll në park. Një prej vajzave u largua për nevoja personale dhe u përball me një pamje të rëndë — trupi i një gruaje i mbështjellë në një qese të zezë, me një krah të dukshëm mbi kokë.
“Sapo e pashë, kuptova që ishte e vdekur,” rrëfeu ajo për gazetën Corriere della Sera. “Mbante një bluzë të çelët pa mëngë. M’u duk tmerr. Ishim në shok,” shtoi vajza.
Pas këtij momenti, ajo lajmëroi shokët e saj, të cilët, po aq të tronditur, iu afruan trupit dhe më pas vrapuan drejt policisë. Forcat e rendit ndodheshin tashmë pranë një pike tjetër në park, ku disa minuta më parë ishte zbuluar trupi i një foshnje të moshës 6 deri 12 muajsh, fshehur mes shkurreve.
“Dukej si një kukull, në rrugë dukej vetëm një pjesë e trupit. Nuk mendoja që mund të ishte një foshnje reale,” tregoi dëshmitari që kontaktoi policinë.
Në vendngjarje u përqendruan menjëherë forcat e policisë, zjarrfikësit, mjekët e emergjencës dhe prokuroria, me në krye prokurorin Antonio Verdi.
Hetimet po zhvillohen intensivisht, ndërsa autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse viktimat kanë lidhje mes tyre. Afërsia e vendeve të gjetjes së trupave dhe koha e ngushtë mes dy zbulimeve kanë ngritur dyshime të forta për një ngjarje të lidhur.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e analizave të ADN-së për të identifikuar viktimat dhe për të përcaktuar nëse ato kanë lidhje familjare.
Prokurori Verdi e përshkroi situatën si “shumë të ndërlikuar”, duke lënë të hapur mundësinë që të bëhet fjalë edhe për ngjarje të veçanta. Megjithatë, burime pranë hetimeve tregojnë se foshnja kishte shenja dhune, duke shtuar dyshimet për një vrasje të dyfishtë.
Policia po shqyrton të gjitha pamjet filmike nga zona përreth parkut dhe po interviston dëshmitarë, në përpjekje për të rindërtuar kronologjinë e saktë të ngjarjes dhe për të zbuluar autorët e kësaj tragjedie.







