Familja Osmani i dha lamtumirën e fundit djalit të tyre të shtrenjtë, Armir Osmanit, 25 vjeç, i cili ndërroi jetë një ditë më parë pas një aksidenti tragjik në fshatin Pavlan të Pejës. Armiri po udhëtonte me makinën e tij, një Audi Q8, kur humbi kontrollin, u rrokullis disa herë në një fushë dhe makina mori flakë.
Ngjarja fatale ndodhi në orët e para të mëngjesit më 1 qershor, ndërsa sot familjarë, miq dhe shokë janë mbledhur për të përcjellë Armirin në banesën e fundit. Varrimi pritet të zhvillohet në orën 19:00 në varrezat e fshatit Zhabar në Mitrovicë.
Armiri ishte djali i biznesmenit të njohur mitrovicas, Ismet Osmani. Sipas informacioneve, vetëm pak orë para aksidentit fatal, ai ishte përfshirë në një incident tjetër me të njëjtën makinë, si dhe në një konflikt në Prishtinë. Pas këtij sherri, ai u nis menjëherë drejt Pejës, ku dhe u ndjek nga një patrullë policore.

Policia raporton se makina lëvizi me shpejtësi shumë të madhe, dhe disa minuta më pas doli nga rruga.
Pamjet e aksidentit ishin tmerruese: makina Audi Q8 u përfshi nga flakët pas disa rrokullisjeve, duke bllokuar shoferin brenda. Për shkak të zjarrit, policia nuk mundi të ndërhynte menjëherë, ndërsa ndihma mjekësore dhe zjarrfikësit arritën me vonesë.
Katër orë të dramës pas aksidentit përfunduan me konstatimin e vdekjes së Armir Osmanit në vendin e ngjarjes. “Njësitë përkatëse të policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore konfirmuan vdekjen e viktimës”, tha për mediat Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.







