EKONOMI & MJEDIS /

Stuhitë godasin Kroacinë / Përmbytje, breshër sa një arrë dhe paralajmërime ekstreme moti 

Sipas Institutit Shtetëror Hidrometeorologjik të Kroacisë, ndryshimi i motit pritet të vijojë në dy valë të fuqishme: e para ka filluar që mbrëmjen e sotme dhe e dyta do të godasë më 28 korrik (të hënën)

Shkruar nga Versus

Stuhitë godasin Kroacinë / Përmbytje, breshër sa një

Pjesë të mëdha të Kroacisë janë përfshirë nga një stuhi e fuqishme, që ka sjellë reshje të dendura, breshër me përmasa të mëdha dhe erëra të forta. Moti i keq ka shkaktuar përmbytje të shpejta në disa zona dhe ka shqetësuar qytetarët me intensitetin e pazakontë të fenomeneve atmosferike.

Breshër deri në 5 cm ka rënë në zonat përreth Karlovacit dhe në ishullin Lošinj, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në automjete, kopshte dhe çati. Ishulli Cres është përmbytur pas reshjeve të dendura të shiut, ndërsa Rijeka është mbuluar nga re të zeza të dendura, shoqëruar me vetëtima, bubullima dhe erëra të forta.

Sipas Institutit Shtetëror Hidrometeorologjik të Kroacisë, ndryshimi i motit pritet të vijojë në dy valë të fuqishme: e para ka filluar që mbrëmjen e sotme dhe e dyta do të godasë më 28 korrik (të hënën). Ekspertja Petra Mikuš Jurković ka paralajmëruar për mundësi të larta për përmbytje dhe kushte të vështira atmosferike.

Për këtë arsye është lëshuar një paralajmërim i kuq për zonat e Zagrebit, Karlovacit dhe për Rijekën gjatë orëve të mbrëmjes. Ndërkohë, një paralajmërim portokalli është në fuqi për pjesën tjetër të vendit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të jenë të kujdesshëm ndaj kushteve të motit që pritet të përkeqësohen në ditët në vijim.

Poll