
Janë publikuar rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore të kryer për të riun Florian Kofina i cili u gjet i vdekur një ditë më parë pranë Gjirit të Barxhos në Ksamil mes dyshimeve se ishte mbytur.
Dyshohet se viktima ka pësuar arrest kardiak dhe më pas është mbytur. Personat që e gjetën 38 vjeçarin të pajetë, i kanë thënë policisë se dyshonin se ishte goditur me jet ski pasi kishin parë në distancë disa mjete lundruese. Sipas ekspertizës, në trupin e 38 vjeçarit nuk ka pasur asnjë dëmtim që mund të jetë shkaktuar nga jet-ski përveç gërvishtjes së vogël në pjesën e gjoksit për të cilën ekspertët dyshojnë se mund të jetë shkaktuar nga përplasja me shkëmbinjtë pasi kishte ndërruar jetë.
Në mushkëritë e 38 vjeçarit ka pasur shumë ujë çka provon se ai është mbytur dhe se kjo është bërë shkak të ndërronte jetë.
Ditën e djeshme gazetari i kronikës së zezë, Flamur Vezaj i cili jeton prej disa vitesh në SHBA, hodhi dyshime mbi shkakun e vdekjes të të riut duke shkruar në rrjetet sociale se ngjarja mund të kishte ndodhur si pasojë e goditjes nga një jet-ski. Versus.al kontaktoi dje me zëdhënësin e policisë së shtetit, Gentian Mullai i cili bëri me dije se nuk kishte asnjë të arrestuar pasi ngjarja dyshohet të ishte aksidentale, gjë që u provua nga ekspertiza e publikuar sot. Versus.al







