
Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim është ndaluar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Eksponenti”, pasi dyshohet si autor i disa veprimtarive kriminale, përfshirë dhunimin e një mjeku për shkak të detyrës.
Sipas uniformave blu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndërhynë menjëherë pas kallëzimit të një mjeku që deklaroi se ishte sulmuar në rrugë nga një shtetas.
Si rezultat i veprimeve hetimore u bë i mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit me iniciale Elton Halili, 28 vjeç.
Nga verifikimet rezultoi se i ndaluari ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprën penale “dhuna në familje”, masë të cilën e kishte shkelur.
Hetimet paraprake tregojnë se ai dyshohet edhe për një kanosje të ndodhur më 1 shkurt 2026 ndaj shtetasit D. D. në banesën e këtij të fundit, si dhe për tre vjedhje: një në një banesë në Yzberisht më 8 shkurt dhe dy të tjera në kompani në zonën e fshatit Prush më 10 shkurt.
Policia njofton se vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarive të tjera të mundshme kriminale ku mund të jetë përfshirë 28-vjeçari, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
“Eksponenti”, për kapjen e autorit të dyshuar të 7 rasteve të veprimtarive kriminale.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, dhe dhunoi një mjek, për shkak të detyrës, ndalohet 28-vjeçari në kërkim.
Ky shtetas, gjithashtu autor i dyshuar i 3 vjedhjeve dhe i një kanosjeje, të kryera gjatë muajit shkurt.
Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se për shkak të detyrës mjek, ishte dhunuar në rrugë, nga një shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat, në kuadër të operacionit “Eksponenti”, u ndalua shtetasi E. H., 28 vjeç, i cili nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjithashtu rezultoi se ky shtetas, më datë 01.02.2026, ka kanosur shtetasin D. D., në banesën e këtij të fundit.
Më tej, dyshohet se shtetasi E. H., më datë 08.02.2026, ka vjedhur në një banesë në Yzberisht, ndërsa më datë 10.02.2026, ka vjedhur në 2 kompani në rrugën e fshatit Prush.
Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha veprimtarive kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

