
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të mblidhet mesditën e sotme, në orën 12:00. Pavarësisht se sesioni i mbledhjeve parlamentare është drejt mbylljes dhe pritet të rihapet në shtator, duket se Grupi Parlamentar i PD se do të jetë aktiv. Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet për zhvillimet e javës dhe seancën parlamentare që do të zhvillohet ditën e nesërme.
Dihet se vulën e Partisë Demokratike e ka Sali Berisha, prej një muaji tashmë, me vendim të Gjykatës së Apelit.
Gjithashtu protesta e 11 korrikut e organizuar nga Partia Demokratike tregoi se PD dhe e gjithë opozita ka një dëshirë të madhe për të ardhur në pushtet, por nuk ka gjetur mënyrën se si mund të vijë. Kështu vijon të mungojnë ende shtyllat kryesore që e bëjnë atë një forcë politike të denjë për të marrë pushtetin.
Rikujtojmë se Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, përjetoi në tre vitet e fundit një luftë të ashpër të brendshme, e cila u nxit nga vendimi i ish kryetarit Lulzim Basha për përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar, pas shpalljes së tij, dhe familjes së tij “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit. Ish kryeministri, megjithatë, arriti të rimarrë kontrollin e Partisë, edhe njohjen zyrtare si drejtuesi i saj, pas vendimit të Gjykatës, më datë 11 qershor./ Versus.al








