Çfarë do të gjeni në brendësi
*Tetë persona janë arrestuar pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci ditën e djeshme nga spitali i Durrësit. Mes të arrestuarve janë edhe kryeinfermieri dhe zv.shefi i policisë së burgut të Durrësit. *Hetimet kanë zbuluar se nuk janë respektuar procedurat e shoqërimit të të paraburgosurit për në spital. Ndoci arriti të arratisej duke goditur efektivin ndërkohë që një makinë tip “Audi” e priste jashtë spitalit. *Policia po kryen kontrolle në disa zona të Tiranës pasi dyshohet se i akuzuari për 4 vrasje fshihet në kryeqytet. *Më herët babai i tij Nikoll Ndoci dha një intervistë për mediat duke pretenduar se i biri po akuzohej për krime që nuk i kishte kryer dhe sfidoi SPAK-un që të paraqiste vetëm një provë ndaj tij. Në këtë rast Nikoll Ndoci u zotua se do ta dorëzonte djalin e tij në prokurori me duart e tij.
Arratisja e Altin Ndocit, shkarkohet nga detyra Drejtori i Burgut të Durrësit
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka firmosur sot shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cërloj, një ditë pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci gjatë një vizite mjekësore në spitalin e qytetit.
Përveç shkarkimit, Lamallari ka kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve një plan të ri për vlerësimin e sigurisë dhe rishpërndarjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në bazë të rrezikshmërisë, duke përfshirë mundësinë e transferimit në burgje të tjera me siguri të lartë.
Pas ngjarjes, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar gjithashtu angazhim maksimal nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe Drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve.Versus.al
Arratisja e Ndocit, Drejtoria e Burgjeve: Burgu i Durrësit nuk na informoi se po e çonte në spital

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me arratisjen e djeshme të të paraburgosurit Altin Ndocit teksa po kryente vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Në reagim thuhet se burgu i Durrësit nuk ka informuar institucionin qendror dhe as komisariatin vendor për realizimin e kësaj vizite mjekësore.
Në reagimin e gjatë ku bëhet me dije se është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut dhe janë arrestuar 8 persona, bëhet me dije gjithashtu se pasi i ishte bërë kontrolli, Ndoci i ishte rekomanduar të rikontrollohej pas 2 orësh dhe gjatë kësaj kohe ai ka kërkuar të shkojë në tualet ku më pas ka goditur punonjësit që e shoqëronin dhe ia ka mbathur me vrap.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:
• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Versus.al
Altin Ndoci dyshohet se fshihet në Tiranë, policia kërkime në disa zona për të arratisurin
Policia po kryen kontrolle në disa zona të Tiranës për të kapur Altin Ndocin i cili u arratis ditën e djeshme ndërkohë që ishte dërguar në spitalin e Durrësit për të marrë mjekim.
Dyshohet se Ndoci fshihet në kryeqytet. Kontrollet janë përqendruar në zonat e Astirit, Don Boskos, Yzberishtit dhe Selitës. Versus.al
Arratisja e Altin Ndocit në Durrës, arrestohen 8 persona! Pranga kryeinfermierit dhe zv.shefit të policisë
Durrës- Tetë persona janë arrestuar nga policia pas arratisjes të të paraburgosurit Altin Ndoci ditën e djeshme teksa merrte mjekim tek spitali rajonal.
Në pranga kanë rënë, kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendës shefi i policisë së burgut Desdemon Pazaj, pesë oficerët që e shoqëronin të paraburgosurin; Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela si dhe Violeta Uka.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se gjatë shoqërimit të Ndocit në spital nuk janë shoqëruar protokollet e sigurisë. Pamjet e publikuara tregonin momentin kur personazhi i botës së krimit shfaqej pa pranga.
I gjithë zinxhiri komandues i burgut të Durrësit është pezulluar nga detyra deri në një urdhër të dytë.
Njëri prej efektivëve të arrestuar, Fatjon Baçi rezulton i njëjti që në muajin shkurt i dha telefonin kryebashkiakut Erion Veliaj që të komunikonte me familjarët e tij gjatë kohës që e shoqëronin për në GJKKO për masën e sigurisë. Versus.al
Djali i tij u arratis dje, babai i Altin Ndocit: SPAK-u të japë një provë dhe e dorëzoj unë në prokurori
Nikoll Ndoci, babai i Altin Ndocit i cili u arratis ditën e djeshme nga burgu i Durrësit, nëpërmjet një deklarate në Syri Tv tha se e gjithë çështja e djalit të tij i cili akuzohet si i përfshirë në disa vrasje, është “një dështim i SPAK-ut”.
Doci tha se djali i tij pavarësisht akuzave për katër vrasje, kishte marrë pafajësi në gjykatën e shkallës së parë dhe në Apel. Madje bëri edhe një sfidë publike duke u shprehur se nëse dikush do të mund të dërgonte edhe një provë të vetme që provon përfshirjen e Altin Ndocit në ato krime, atëherë vetë ai do ta dorëzonte në polici.
Më tej shtoi se e gjithë dosja është e bazuar në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe se ky i fundit po hakmerrej për një konflikt të hershëm që vëllai i tij kishte patur me Altin Ndocin. Gjithashtu deklaroi se Nuredin Dumani ka kërcënuar me jetë avokaten e tyre.
Deklarata e Nikoll Ndocit:
Kjo është një histori, asgjë më shumë edhe asgjë më pak, veç një dështim i SPAK-ut. Dështim i i arrestimit. Po, morëm një pafajësi në shkallën e parë, e morëm edhe në apel të GJKO-së. Dhe tani SPAK-u, e ke parasysh që pretendon mua të paktën një provë, një provë të sjellin të gjithë, kush është gazetar në Shqipëri, të më sjellin një provë të vetme dhe jam unë i gatshëm të shkoj të ta dorëzoj në prokurori, në SPAK.
Një gazetar të më gjejë një provë kundër atij, ADN-a, a çfarë të dojë, çfarë do të bëjë provat kriminalistika, çdo gjë që të ma sjellë mua si person, unë jam i gatshëm të shkoj ta dorëzoj në prokurori. Po, ka pasur, ka qenë i marrë një radhë me hashash.
Ka pasur një arsye, një shpjegim, duke marrë të mirëqenë pretendimin tuaj që nuk ka lidhje me masakrën e Bradasheshit.
Po, po. I vetmi person që e akuzon për Bradasheshin, e akuzoi dhe për katër vrasjet në Durrës.
Një farë Nuredin Dumani, që e emëron, e emëron me forcë dhe me fanatizëm, e mbrojti SPAK-u.
I vetmi person. Ai e çoi tek qerri i vogël, që ishte i i pendum i drejtësisë apo çfarë mund të... se s'nuk e... nuk mund të flas diçka se jam shumë i lodhur. Pretendohet gjoja një rrahje e të vëllait të tij. Pretendohet.
Nuk e di se s'kam idenë fare, por pretendohet. Dhe ai e ka deklaruar vetë. Dua ta, dua ta vras, du... e dua të vdekur. Tani nuk mundet një, një person që ka bërë, i ka pranuar vetë ai, 12 vrasje a 13 a sa ka bërë, një, një ordiner, dhe të vijë të më akuzojë mua dhe të më shkatërrojë familjen, në asnjë mënyrë, Flavio!
Këto këtu nuk e di se ku po jetojmë, ku po shkojmë. Unë kam shumë e shumë gjëra të tjera. Shumë e shumë gjëra të tjera. Edhe kundrejt SPAK-ut, edhe kundrejt ca individëve që flasin nëpër korridore, i kam me audio. Që flasin nëpër korridore. Që është turpi, turpi i drejtësisë, turpi i, i SPAK-ut. Mund të flas edhe mbas nja dy-tre ditësh, ai diçka të tillë. Edhe kam shumë dëshirë, kam shumë dëshirë. Unë i përballoj vetë. Unë bëra 68 sot. Jam 70. Nuk kam qenë kurrë kriminel, as bëhem kriminel, as fisi im s'është kriminel. Unë vij nga një familje fshatarësh që jetojmë, mundohemi të jetojmë me djersën e ballit. Djalin tim atëherë e rujtë Zoti. Disa gazetarë në studio. Në të gjitha studiot dalin dhe e quajnë kriminel. Ore zotëri, ka një provë? Drejtësia punon me drejtësi.
Unë do të më gjejë një provë, mor shoku im, një provë mor ta marrsha. S'ka mundësi, mor, një ADN. Si nuk doli një ADN kundër tij? Provat kriminalistike hidhen poshtë dhe pretendohet për një Nuredin Duman. Kush e mbron atë njeri, o vëlla? Po bëjmë të kundërtën. Aty unë kam një avokate, e ke parasysh. Pas ca ditësh, mbas vazhdim e mrapa mund të ketë edhe probleme të tjera.
Kam një avokate unë që... Inshallah, ma ruajtë Zoti se është, është edhe atë e kanë kërcënuar me vdekje. Në sallë gjyqi, në sallë, mu në mes të SPAK-ut. E kanë kërcënuar me jetë. Avokaten. Zoti i rujtë, Zoti i rujtë ca gazetarë që po pastrohen. Versus.al

