Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme në kryesinë e Kuvendit u organizua një tryezë e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali me krerët e institucioneve të pavarura sa i takon diskutimeve për rritjen e bashkëpunimit mes pushteteve të legjislativit dhe gjyqësorit. *I pranishëm në mbledhje, ishte edhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato i cili bëri thirrje që Kuvendi të respektojë dhe të ketë një qëndrim më korrekt lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke nënkuptuar edhe atë të fundit ku socialistët ‘shpëtuan’ Olta Xhaçkës duke abstenuar në procesin e votimit për ta çuar mandatin e saj në Kushtetuese. *Pjesë e diskutimit ishte edhe komisioni i Posaçëm Antikorrupsion i kryesuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela me nota kritike tha se nëse duhej që Kuvendi ose Komisioni i Ligjeve të bënin propozime për përmirësimin e mënyrës së raportimit të institucioneve në Kuvend. Ndërsa e konsideroi procesin si tepër delikat, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë shumë i kujdesshëm në procedurat që do ndiqen nga ky komision. *Një vërejtje për Kuvendin pati dhe kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami e cila tha se organi legjislativ nuk kishte marrë asnjë veprim për të zbatuar propozimet e institucionit që ajo drejton sa i takon nevojës për uljen e dosjeve të mbetura stok në gjykatat e vendit.
‘Mal’ me dosje të mbetura stok në gjykata, kryetarja e KLGJ: Duhet zgjidhur me urgjencë, Kuvendi s’po na ndihmon

Gjatë tryezës së zhvilluar në kryesinë e Kuvendit me krerët e institucioneve të pavarura, ishte e pranishme edhe kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami e cila ngriti shqetësimin se Kuvendi nuk ka marrë parasysh kërkesat e KLGJ-së sa i takon uljes së stokut të dosjeve në gjykatat e vendit.
Ajo tha se duhet një ndërhyrje në ligje për të ulur stokun e dosjeve të mbetura në gjykata për vite me radhë dhe se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa bashkëpunim me Kuvendin. Mirëpo shtoi se pavarësisht se shqetësimi i KLGJ është dërguar në Kuvend prej 6 muajsh, ende nuk ka asnjë lloj veprimi lidhur me këtë çështje.
“KLGJ ka depozituar disa nisma që kanë të bëjnë me beklogun dhe këto nisma kanë mbi 6 muaj që janë pranë Kuvendit, i kemi raportuar dhe vazhdojmë që ti raportojmë, janë bërë me grupin e punës me strategji për uljen e beklogut dhe deri më tani nuk kemi asnjë feetback nga kuvendi mbi ecurinë pavarsisht urgjencës dhe nevojshmërisë që kemi deklaruar ne për këto nisma. Ne si KLGJ, unë jam edhe për pak ditë kryetarja e KLGJ, por kjo s’më bënë që të mos i jem zëri i sistemit në këtë forum. Ne jemi të hapur për të filluar punë intensivisht sepse ato që ne kemi propozuar i kemi depozituar dhe janë gjëra konkrete, nuk janë nisma që janë bërë për ndryshime, por janë nisma që kanë një raport analizë se si do të ndërhyjmë në këto ligje. Unë them që të vihet sa më shpejtë në lëvizje për këto nisma. Nëse ne nuk bashkëpunojmë për të realizuar këtë, KLGJ nuk ka ca bënë më në kompetencat e saj nëse nuk mbështetet nga Kuvendi”, tha ajo.
Në përgjigjie të Llagamit, deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se po punohet për propozimet që synojnë uljen e dosjeve të mbetura stok dhe se është kërkuar edhe futja e këtyre propozimeve në procedurë parlamentare.
“Janë depozituar dy paketa ligjore për uljen e beklogut dhe një paketë tjetër është depozituar më vonë dhe të 3 paketat janë pjesë e të njëjtave ndryshime ligjore dhe plotësimin i të gjithë paketës është bërë para mbylljes së sesionit në gusht. Kjo paketë është gati për tu vijuar si nismë në këtë sesion parlamentare dhe kërkon prioritet dhe duhet ndjekur nga kuvendi. Është bërë me mbështetje të ekspertizës së BE dhe SHBA dhe duhet futur në procedurë parlamentare” u përgjigj deputetja. Versus.al
Komisioni Antikorrupsion, kryeprokurori Çela: Proces delikat! Kuvendi të na kishte thënë nëse duhej raportim më i qartë
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka qenë i pranishëm në tryezën e organizuar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali me krerët e institucioneve të pavarura, ku është diskutuar edhe për komisionin e posaçëm antikorrupsion të ngritur pak kohë më parë për monitorimin e institucioneve të drejtësisë.
Çela nuk fshehu pakënaqësitë lidhur me këtë komision, duke deklaruar më tej se duhej që Kuvendi ose Komisioni i Ligjeve të kishin dalë me kërkesa që të përmirësonin raportimet e institucioneve të drejtësisë.
“Ka kohë që diskutohet lidhur me forcimin e institucionit të monitorimit nga ana e Kuvendit për institucionet e drejtësisë. Ka një kornizë të qartë ligjore sesi institucionet e pavarura ndërtojnë raportet me parlamentin. Zonja Bushka në parashtrimin e saj dha konsiderata të sakta për këtë marrëdhënie të frytshme që i ka shërbyer procesit të monitorimit.
Problemet që lidhen me monitorimin nga ana e Kuvendit, që lidhen me llogaridhënien dhe mënyrën si i shërbejmë interesit publik, do duhet që këto të kishin ardhur nga procesi që ne zhvillojmë me komisionin e ligjeve apo komunikimet që kemi me Kuvendin. Sepse kështu do ishte evidentuar se çfarë nuk shkon në raportimin e bërë nga ana e institucioneve. Sot do ishim duke diskutuar për çështje konkrete sesi ne do arrinim të merrnim masa përmirësuese në procesin e raportimit”- tha Çela.
Më tej ai shtoi se kemi të bëjmë me një proces shumë delikat dhe se hapat që duhet të ndërmerren më tej, duhet të jenë sa më të kujdesshëm.
"Kemi të bëjmë me proces delikat sepse flitet për pavarësinë e institucioneve me kornizë ligjore të miratuar pak vite më parë dhe është ende duke u testuar. Në këtë kuadër, do donim që hapat që do ndërmerren në vijim të jenë mjaft të kujdesshëm. Kuvendi bën ligjet, sheh nevojën për ndryshimin e tyre dhe ne jemi kontribues në këtë proces”- shtoi kryeprokurori Çela.
Deri më tani, opozita e ka bojkotuar komisionin e drejtuar nga deputeti socialist Fatmir Xhafaj, me arsyetimin se synohet monitorimi dhe vënia nën kontroll e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë për të mos i lejuar ato të veprojnë ndaj zyrtarëve të lartë të korruptuar. Versus.al
Socialistët shpëtuan mandatin e Xhaçkës, ambasadori i BE: Vendimet e Kushtetueses, duhen zbatuar nga Kuvendi
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u përqendrua në thirrjen për respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë gjatë fjalës që pati më mbledhjen që u mbajt sot në kryesinë e Kuvendit.
Ai nënvizoi faktin se Parlamenti duhet të respektojë dhe zbatojë vendimet e dala nga Gjykata Kushtetuese ndërsa sa i takon Reformës në Drejtësi, Gonzato u shpreh se duhet që Kuvendi të marrë masa që këto reforma të kryera deri më tani të mos kthehen pas.
“Negociatat e suksesshme në hyrjen e BE-së kërkojnë një dialog ndërparlamentar në parlament por gjithashtu dhe në bashkëpunim ndërinstitucional. Shpresoj që në parlament integrimi europian të konsiderohet nga të gjithë forcat politike si prioritet kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Parlamenti është qëndra për të pasur dialogun konstruktiv dhe të miratojë legjislacione e ndryshimet ligjore. Nga ana tjetër marrëdhëniet ndërinstitucionale duhet të jenë në respect të plotë të kushtetutës që ka të bëjë me kontrollin e balancën. Është shumë e rëndësishme fokusimi i bashkëpunimit mes parlamentit dhe institucioneve të pavarura. Duhet të ketë diskutime të rregullta sic është diskutuar në raport. Parlamenti duhet të raportojë sic duhet në raste kur është e nevojshme për krerët e institucioneve të pavarura. Vendimet e Gykatës kushtetuese duhet të respektohen siç nxirren nga ato dhe kjo është thelbësore në një shtet demokratik. Për reformën në drejtësi parlamenti mund të lozë një rol kyç për mos kthimin pas të reformave por për të implementuar më tej, në harmoni reformat me të gjitha detyrimet që Shqipëria ka marrë në rrugën e BE-së. Këto reforma shoqërohen nga përpjekja për të parandaluar korrupsionin e krimin e organizuar e krimin në qeveri. Komisioni i Antikorrupsionit që ju keni themeluar tashmë është shumë I rëndësishëm në këtë drejtim. Duhet të hidhen themelet për një sistem të pavarur e llogaridhënës që të bazohet në integritet. Të gjitha institucionet e pavarura dhe sistemi gjyqësor duhet të luftojnë krimin e organizuar për të garantuar që sistemi I drejtësisë jep vendime me integritet”- u shpreh Gonzato.
Ky mesazh i ambasadorit të BE vjen pasi socialistët “shpëtuan’ sërish deputeten Olta Xhaçka duke abstenuar në Kuvend për shqyrtimin e mandatit të saj nga Gjykata Kushtetuese. Për t’u justifikuar, kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi tha para mediave se secili deputet është i lirë të votojë sipas dëshirës dhe se votimi në grup duke abstenuar, nuk ishte i planifikuar. Për mandatin pritet të shprehet në dhjetor Komisioni i Venecias ku Shqipëria ka kërkuar opinion. Versus.al








