Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot për të diskutuar lidhur me zgjedhjet e 11 majit dhe aksionin e ri opozitar me nisjen e sesionit të ri parlamentar për Kuvendin që pritet të mblidhet për herë të parë më 12 shtator. *Berisha e nisi mbledhjen me denoncimin e atyre që i konsideroi shkelje flagrante të votës së lirë dhe përdorimin e parave të krimit në zgjedhjet parlamentare. Sipas Berishës, me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira. *Por pati edhe një moment autokritike kur kryedemokrati u shpreh se asnjëri prej tyre nuk ka bërë aq sa ka patur mundësi për të arritur një rezultat më të mirë dhe për të kundërshtuar atë që e konsideroi “regjim autokratik”. Përsa i takon “dilemës” nëse PD do të hyjë apo jo në Kuvend, Berisha tha se në asnjë mënyrë nuk do të pranohet rezultati i zgjedhjeve, por theksoi se Kuvendi është një prej mjeteve që opozita duhet të përdorë për t’u përballur me qeverinë “Rama 4”.
“Kërkohet një ndryshim”, Berisha zbulon nëse PD do të bojkotojë Kuvendin e ri
Kryedemokrati Sali Berisha në mbledhjen që po zhvillon kryesia e Partisë Demokratike foli për qëndrimin që do të mbahet në sesionin e ri parlamentar. Duke u përgjgjur për pjesëmarrjen e tyre në parlament, Berisha garantoi se PD do të jetë e pranishme në Kuvend, por nuk do të pranojë kurrë atë që e konsideroi “farsë elektorale të 11 majit”.
Madje theksoi se puna e PD në sesionin e ri parlamentar do të nisë me një komision hetimor për zgjedhjet e 11 majit ku sipas tij do të paraqiten të gjitha faktet e pretenduara nga demokratët për shkeljet në procesin elektoral dhe zgjedhor.
“Unë mendoj se në këtë diktaturë ne nuk duhet të lëmë asnjë hapësirë bosh nga e cila të mos luftojmë kundër saj. Nëse ka një gjë themelore që kërkohet nga secili prej nesh, kërkohet qëndrimi si do ndryshojmë ne në raport me narkodiktaturën organiztën kriminale që ka uzurpuar pushtetin. Cili do jetë qëndrimi ynë i ri? Secili mund të thotë se kam bërë sa kam mundur, por jo asnjëri nuk kemi bërë sa kemi mundur. Kërkohet një ndryshim, ndaj para këtij mali të farsës elektorale beteja jonë kërkon energji të reja, forma të reja. Nuk është një variant. Ua them edhe demokratëve që mendojnë se është më mirë të mos futemi në parlament. Jo nuk është më mirë, në një diktaturë duhet të falenderojmë Zotin që të jep mundësi ta luftosh atë. Në këtë diktaturë e pëson si Salianji, por përsëri nuk mund ta mohoj se mundësitë për ta luftuar janë. Kërkon angazhim shumë më të madh nga secili prej nesh, vlerësimin e të gjitha kapaciteteve në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë e cila me Edi Ramën nuk ndodh kurrë. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Në Shqipëri digjen njerëz të gjallë, nuk ekziston, digjen qindra e mijëra hektarë, nuk ekzistojnë, ekzistojnë vetëm tre gjëra: arkitekti, hapësira dhe Çopja, miliardat e Çopjas nga mëngjesi gjer në darkë. Parlamentin do ta hapim prapë me komision hetimor për zgjedhjet. Është themelore, fjala e lirë. T’i nxjerrim kriminelët elektoralë para shqiptare”- u shpreh Berisha. Versus.al
Zgjedhjet e 11 majit, Berisha bën autokritikë: Faktor për farsën zgjedhore edhe puna jonë e dobët

Në orën 13:00 të ditës së sotme nisi mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike me fjalën e kryedemokratit Sali Berisha i cili foli mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Duke e konsideruar “farsë elektorale”, Berisha nuk la pa bërë autokritikë për punën e PD duke thënë se nuk është bërë punë e mjaftueshme për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit e PD për situatën ku ndodhet vendi.
“PD si forca kryesore opozitare u angazhua në një përpjekje intensive serioze ndërkombëtare për paraqitjen e gjendjes së rëndë, për denoncimin e diktaturës autokratike të Edi Ramës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku ne jemi të federuar apo të anëtarësuar.
E theksoj këtë moment si një moment të një rëndësie kapitale, sepse për fat të keq, e them këtu, për shkaqe më shumë njohje, nuk është gjerësisht e realizuar se Shqipëria përjeton një diktaturë autokratike. Kjo sigurisht më shqetëson në opinionin publik, por më tepër më shqetëson në anëtarësinë dhe mbështetësit tanë. Kjo nuk vjen nga mosdashja e tyre, kjo ka disa faktorë, por një nga këta faktorë është puna e dobët e jona për të qartësuar anëtarësinë dhe mbështetësit tanë në këto koncepte fondamentale politike”- tha Berisha.
Ai tha se shkak për rezultatin e 11 majit u bë edhe përdorimi i administratës publike ku janë të punësuar 220 mijë persona si funksionarë publikë.
“Diktaturat totalitare, ata që e përjetuan, ata thonë se kjo e sotmja nuk është e tillë. Dhe kanë të drejtë sepse diktaturat totalitare e përjashtojnë pluralizmin, diktatura autoritare nuk e përjashton pluralizmin, por e shtyp pluralizmin.
Kjo e dyta e shtyp pluralizmin dhe është mizore në përqendrimin e të gjithë pushteteve në një dorë. Të nderuar zonja dhe zotërinj dhe të dashur qytetarë që nga ndiqni, nga 220 mijë rrogëtarë të këtij shteti, nga presidenti i republikës tek punonjësi më i thjeshtë, vetëm 2 mijë prej tyre nuk janë emëruar apo zgjedhur nga partia shtet. 218 mijë në një përqendrim pra pothuaj total, i përkasin partisë shtet, partisë së krimit. Nuk ka përqendrim më të lartë pushteti në një diktature autokratike se sa ky”- deklaroi kryedemokrati. Versus.al
Diskutohet aksioni opozitar, PD mbledh sot kryesinë! Berisha u drejtohet anëtarëve me një fjalim
Një ditë para se kryeministri Edi Rama të zhvillojë mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, PD mbledh kryesinë e saj për të diskutuar mbi vendimarrjen lidhur me aksionin politik në vazhdim.
Kjo është mbledhja e parë e kësaj strukture që pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ku PD pësoi rënie të madhe mandatesh nga 59 që kishte në zgjedhjet e 2021-it, në 50 të tilla duke përfshirë brenda saj edhe figura të partisë së Lirisë.
Mbledhja do të nisë në orën 13:00 në sallën “Azem Hajdari” ku do të ketë një fjalim të kryedemokratit Sali Berisha drejtuar anëtarëve të kryesisë dhe më pas diskutimet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Ende nuk ka një qëndrim konkret të PD mbi mënyrën sesi do të vijojë aksioni opozitar, por më herët eksponentë të kësaj partie kanë thënë se kjo gjë do të vendoset nga kryesia dhe këshilli kombëtar. Versus.al







